Rruga e harruar Krastë-Peshk në zemër të Martaneshit

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 09.07.2025, 16:26

Rruga Krastë–Peshk në Martanesh u shemb pak muaj pas ndërtimit, Bashkia e Bulqizës nuk ka marrë ende asnjë masë për riparimin e saj.

Banorët e Njësisë Administrative Martanesh kanë ngritur shqetësimin për gjendjen alarmante të rrugës Krastë–Peshk, e cila u ndërtua vetëm një vit më parë. Sipas tyre, rruga është dëmtuar rëndë para rreth dy javësh, por autoritetet vendore nuk kanë ndërhyrë për ta rikthyer në gjendje funksionale.

Pamjet e siguruara nga qytetarët tregojnë rrëshqitje masive të dherave dhe çarje të thella përgjatë aksit rrugor. Rruga, që lidh komunitetet e zonës me qendrat më të mëdha, është bërë e pakalueshme për makinat dhe rrezik për këmbësorët.

Banorët i kanë drejtuar kërkesa të përsëritura Bashkisë së Bulqizës, por sipas tyre, zëri i tyre është injoruar.

"Përshëndetje, desha të publikoj këtë video dhe foto. Rruga Krastë-Peshk, Njësia Administrative Komuna Martanesh. Shikoni si është rruga. Kjo rrugë ka përfunduar para 1 viti. Shkatërrimi i rrugës ka ndodhur para 2 javësh. Nuk është marrë asnjë lloj mase nga Bashkia e Bulqizës."

Përveçse problem serioz për lëvizjen, rrëshqitja e rrugës rrezikon edhe ndarjen e fshatrave nga pjesa tjetër e Martaneshit. Në rast emergjencash, situata mund të bëhet dramatike për banorët që ndodhen në izolim.

Dëmtimi i kësaj rruge risjell në vëmendje problemin e cilësisë së punimeve publike në zonat malore dhe mungesën e përgjegjësisë nga ana e institucioneve lokale.

Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme dhe për një hetim të plotë mbi cilësinë e projektit, që sipas tyre, ka përfunduar me shpejtësi por pa garanci afatgjatë për sigurinë rrugore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit