Një përgjim tronditës zbulon se Sheikh Hasina urdhëroi që protestuesit të qëlloheshin pa paralajmërim, duke çuar në mijëra viktima në gjithë vendin.
Një audio e publikuar së fundmi nga BBC-ja ka ndezur debate të ashpra në Bangladesh, pasi ish-kryeministrja Sheikh Hasina dëgjohet duke urdhëruar përdorimin e armëve vdekjeprurëse kundër protestuesve studentorë. Biseda është regjistruar më 18 korrik 2024 nga rezidenca e saj zyrtare në Dhaka. “Kam dhënë urdhër të hapur. Kudo që t’i gjeni, qëlloni,” thuhet qartë në audio.
Protestat nisën fillimisht si reagim ndaj sistemit të kuotave për punësimet në administratë, por shpejt u shndërruan në një valë të fuqishme pakënaqësie që mbërtheu gjithë vendin. Sipas hetuesve të Kombeve të Bashkuara, numri i viktimave gjatë represionit arriti në rreth 1,400 persona, shumica studentë të paarmatosur.
Prokurorët në Bangladesh kanë deklaruar se do ta përdorin përgjimin si provë kyçe në procesin gjyqësor ndaj Hasinës, e cila po gjykohet në mungesë për krime kundër njerëzimit. Ky regjistrim përbën provën më të fortë që tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të saj në urdhrat për vrasjet masive.
Një nga ngjarjet më të përgjakshme ndodhi më 5 gusht në zonën Jatrabari të kryeqytetit, ku policia hapi zjarr ndaj turmës menjëherë pasi ushtria u tërhoq. Të paktën 52 persona humbën jetën, sipas të dhënave të reja, një shifër më e lartë se ajo e raportuar fillimisht.
Pas rrëzimit të qeverisë së saj, Hasina u largua drejt Indisë, ku ndodhet atje ende. Autoritetet në Dhaka kanë kërkuar ekstradimin e saj, por India nuk ka dhënë sinjale për bashkëpunim. Juristët e quajnë shumë të ulët mundësinë që Hasina të paraqitet ndonjëherë përpara drejtësisë.
Përveç Hasinës, edhe 203 persona të tjerë – përfshirë zyrtarë policie dhe të qeverisë së mëparshme – janë paditur nga Tribunali Ndërkombëtar Penal. Aktualisht, 73 prej tyre janë në paraburgim dhe pritet të përballen me akuzat.
Në krye të qeverisë së përkohshme ndodhet fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunusi, i cili është duke përgatitur vendin për zgjedhjet e ardhshme kombëtare, pas një periudhe të trazuar që e tronditi rëndë shtetin.