I zhgënjyer nga bisedat me Putin-in, Trump-i pranon publikisht se Moska po e trajton me mashtrime dhe po saboton përpjekjet për marrëveshje paqeje në Ukrainë
Pesë muaj më parë, Donald Trump-i u shpreh me bindje se presidenti rus Vladimir Putin-i dëshironte paqe në Ukrainë. Ai e mbështeti këtë me deklarata personale, duke thënë: “E njoh shumë mirë. Mendoj se do të më thoshte nëse nuk donte paqe.”
Por javët e fundit, toni i Trump-it ka ndryshuar rrënjësisht. Gjatë një mbledhjeje kabineti të martën, ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Putin-it, duke pranuar se ishte ndjerë i mashtruar. “Na hedh shumë mashtrime. Është gjithmonë i sjellshëm, por ajo sjellje del pa kuptim,” u shpreh Trump-i me zemërim të dukshëm.
Përveç deklaratave të ashpra, Trump-i ka nisur të ndryshojë edhe qëndrimet praktike. Këtë javë rifilloi dërgesat e armëve mbrojtëse për Ukrainën, pasi kishte pezulluar përkohësisht procesin. Ndryshe nga qëndrimet e mëparshme, ai vlerësoi guximin e ukrainasve dhe rolin e tyre në përdorimin e ndihmës amerikane: “Ata treguan trimëri të vërtetë. Shumë nga njerëzit që njoh, nuk do të kishin guxuar të operonin ato pajisje.”
Kjo prirje e re është parë si një largim nga balancimi që Trump-i kishte ruajtur më parë, ku kritikonte njëkohësisht edhe Rusinë edhe Ukrainën, duke i trajtuar si palë të barabarta në një konflikt agresiv. Por tani ai po e çliron retorikën nga kjo simetri, duke i dhënë më shumë mbështetje Kievit.
Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse ky ndryshim është vetëm një taktikë për të ushtruar presion ndaj Putin-it apo një sinjal real për ndryshim politikash. Trump-i refuzoi të mbështesë sanksione të reja ndaj Rusisë, edhe pse mbi dy të tretat e senatorëve amerikanë i kishin mbështetur ato.
Nëse do të kishte shkëputur vërtet marrëdhëniet me Putin-in, do të kishte pasur shumë më tepër veprime konkrete. Në vend të kësaj, ai vazhdon të luhatet mes kritikës dhe përmbajtjes. Vetëm pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Trump-i e quajti “të tmerrshëm” agresionin, por më pas u kthye në retorikën e zakonshme duke shmangur ndëshkimin moral të liderit rus.
Kësaj radhe, megjithatë, zhgënjimi i tij mund të jetë më i thellë. Trump-i ka dështuar të sjellë një marrëveshje paqeje, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe vetëbesimit në aftësitë e tij për të negociuar. Ai mund të ndiejë se Putin-i po e përdor për interesa të veta dhe po e bën të duket i pafuqishëm para opinionit amerikan.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se Trump-i po reagon ndaj zhvillimeve të reja: “Ai është me mendje të hapur, por jo naiv. Ka parime dhe është i qartë për qëllimet që ndjek.”
Të gjitha këto ndryshime erdhën menjëherë pas sulmit më të madh me dron të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili ndodhi vetëm disa ditë pas një telefonate të Trump-it me Putin-in. Ky sulm, për shumëkënd, shënoi një kthesë që e detyroi Trump-in të ndryshonte qasje.
Sidoqoftë, roli i krenarisë personale dhe presionit të brendshëm politik nuk duhet nënvlerësuar. Trump-i ka mbrojtur më gjatë se çdo lider tjetër perëndimor qëndrimet e Putin-it. Por tani duket se realiteti i luftës dhe pritshmëritë elektorale e kanë shtyrë të rikalibrojë qëndrimet.
Në fund të fundit, për Trump-i, gjithçka sillet rreth një “fitoreje”. Ai ende kërkon një marrëveshje paqeje që të mund ta paraqesë si sukses personal. Por me Putin-in që nuk lëshon asnjë sinjal për kompromis, ky objektiv duket gjithnjë e më i paarritshëm.
A do të zgjasë ky qëndrim i ri i Trump-it? Apo është vetëm një episod tjetër i lëkundjeve të tij të zakonshme? Përgjigja mbetet e hapur. Por për herë të parë në një dekadë, kritikat ndaj Putin-it po vijnë direkt nga goja e njeriut që dikur e quante “gjeni”.