Mbi 100 të vdekur u rregjistruan në Hill Country të Teksasit pasi një përplasje e faktorëve natyrorë shkaktoi një nga përmbytjet më vdekjeprurëse të shekullit.
Po si filloi e gjitha?
Një seri stuhish të fuqishme, të ushqyera nga mbetjet e Stuhisë Tropikale Barry, përfshinë rajonin kodrinor të Teksasit, duke shkaktuar përmbytje shkatërruese që lanë pas më shumë se 100 viktima. Modelet e parashikimit të motit të përdorura nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike arritën kufijtë maksimalë të matjeve, duke treguar një skenar ekstrem.
David Gagne, studiues në Qendrën Kombëtare për Kërkime Atmosferike, e cilësoi situatën si një “skenar katastrofik”, ku të gjithë faktorët – stuhitë, topografia dhe koha – përkonin në mënyrën më të gabuar të mundshme, gjatë natës, në fundjavën festive të 4 Korrikut.
Përkundër teknologjive të avancuara, sistemet si FLASH dhe Multi-Radar/Multi-Sensor nuk ishin në gjendje të përcaktonin me saktësi zonën më të goditur. Kur ngjyrat në grafikët e parashikimit kaluan nivelin maksimal, u bë e qartë se dega jugore e lumit Guadalupe po goditej në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme.
John Nielsen-Gammon, klimatolog shtetëror i Teksasit, tha se shirat arritën 25-30 cm brenda vetëm 6 orëve, pasi stuhitë qëndruan pezull mbi luginën e lumit. “Nëse do të kishte ndodhur vetëm pesë milje më tutje, dëmi do të ishte shumë më i vogël,” theksoi ai. Kampuesit përgjatë lumit ishin më të ekspozuarit ndaj rrezikut.
Fatkeqësisht, zona që u përmbyt nuk kishte asnjë matës zyrtar shiu, megjithëse përfshihej në sistemin TexMesonet, ngritur pas përmbytjes së vitit 2015 në Wimberley. Megjithatë, sipas Nielsen-Gammon, shiu i së premtes ishte i pashembullt dhe vlerësohet të jetë një ngjarje që ndodh vetëm një herë në 1.000 vjet.
Edhe pse paralajmërimet për përmbytje ishin dhënë nga Shërbimi Kombëtar i Motit, meteorologët pohuan se as modeli më i saktë nuk parashikoi ngarkesën ekstreme të reshjeve dhe qëndrueshmërinë e stuhisë në të njëjtën zonë.
Sipas Gagne, paralajmërimet më urgjente u dërguan vetëm pasi u rritën ndjeshëm nivelet e reshjeve të treguara nga mjetet NOAA. Kjo u dha banorëve vetëm disa orë për t’u larguar, nëse i morën mesazhet përmes celularëve, radios ose ndonjë forme tjetër. Kerr County nuk ka sistem alarmi sirene dhe shumë banorë mund të mos kenë marrë paralajmërimin.
Teksasi kryeson në SHBA për numrin e viktimave nga përmbytjet. Nga viti 1959 deri në 2019, shteti ka regjistruar 1.069 vdekje, 376 më shumë se shteti i dytë në renditje, Luiziana. Shumica e këtyre viktimave kanë ndodhur në Hill Country, një rajon që për shkak të formës së terrenit, njihet edhe si “korridori i përmbytjeve të menjëhershme”.
Ky rajon është formuar nga Balcones Escarpment, një brez shkëmbor që përshkon shtetin nga Waco në Del Rio. Ai krijon kushte të favorshme për stuhitë që lëvizin nga Gjiri i Meksikës dhe ndalojnë në këtë zonë, për shkak të përplasjes me terrenin malor.
Sipas profesorit Hatim Sharif nga Universiteti i Teksasit në San Antonio, relievi përbëhet nga kodra të pjerrëta dhe kanione të ngushta gëlqerore, që përshpejtojnë rrjedhën e ujërave drejt lumenjve më të mëdhenj. Në shumë zona, toka është shumë e cekët dhe përthith pak ujë, duke çuar në përmbytje të shpejta.
Brenda më pak se 12 orëve, lumi Guadalupe u ngrit me mbi 6 metra, duke u kthyer nga një përrua i qetë në një rrjedhë të furishme, që rrezikoi çdo jetë pranë brigjeve të tij. Ndërhyrjet e ekipeve të kërkim-shpëtimit u bë e vështirë për shkak të shpejtësisë së ujërave dhe terrenit të thyer.
Tragjedia e fundit në Hill Country po konsiderohet si një thirrje alarmi për përmirësimin e sistemit të paralajmërimit dhe vendosjen e më shumë matësve shiu në zonat me rrezik të lartë. Ekspertët theksojnë se ndërthurja e motit ekstrem, terrenit dhe mungesës së infrastrukturës së duhur, është një formulë që sjell humbje masive njerëzore.