Një banor me aftësi të kufizuara, i pranishëm në protestën kundër prishjes së ndërtimeve në Theth, tregoi mes emocionesh se kishte investuar të gjitha kursimet e jetës për të ndërtuar pesë shtëpi druri mbi tokën e trashëguar nga familja e tij brez pas brezi. Ai theksoi se ndërtimet ishin krejtësisht prej druri, pa përdorur asnjë pjesë betoni.
I pyetur nëse kishte leje ndërtimi, ai shpjegoi se kishin aplikuar, por nuk kishin marrë miratim. Me lot në sy, ai apeloi ndaj shtetit që të mos i shembë ndërtesat, pasi nëse kjo ndodh, ai dhe familja e tij do të mbeten në rrugë.
“Të gjithë shpenzimet e jetës. Kam ndërtuar 5 shtëpia druri pa beton dhe asgjë në tokën time. Kemi kërkuar por thonë nuk ka leje, toka është e imja, është trashëgimtare brez pas brezi. Kërkojmë prej shtetit që të mos i prishë sepse dalim në rrugë të madhe. Veç me vdekur, nuk e di me çfarë ka me jetuar familja ime. Synojmë me na lënë shteti me jetuar. Vetë kanë thënë me investuar, unë nuk jam i ardhur por jam këtu. Toka është e jona 200 vjeçare. Ashtu siç kanë thënë kemi investuar, nuk ka asnjë pëllëmbë beton,” thotë banori.
Pas aksionit për shembjen e objekteve pa leje, banorët e Thethit janë ngritur në protestë. Ata bllokuan urën në hyrje të fshatit, pati tensione edhe me policinë. Ata thonë se është e papranueshme ndërhyrja, sidomos në mes të sezonit.