Trafiku i tmerrshëm tek Myslym Shyri, shkak vendosja e gabuar të kazanëve të plehrave

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 09.07.2025, 13:10

Kazanet e plehrave të vendosura në mes të rrugës po pengojnë qarkullimin në Myslym Shyri, duke shkaktuar trafik dhe pakënaqësi tek qytetarët.

Qarkullimi në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë është bërë çdo ditë e më problematik për shkak të mënyrës se si janë vendosur kazanët e plehrave. Qytetarët denoncojnë se këto struktura ndodhen në mes të rrugës, duke zënë një nga korsitë e pakta të disponueshme për automjetet.

Ndërhyrja e fundit për rikonstruksionin e rrugës, ku u krijuan dy korsi dhe një trotuar më i gjerë, ishte përshëndetur fillimisht si një përmirësim i nevojshëm urban. Por vendosja e kazanëve jashtë trotuarit ka zbehur çdo përfitim që pritej nga kjo ndërhyrje.

Sipas banorëve të zonës, kjo situatë po sjell bllokime të vazhdueshme në qarkullim, sidomos gjatë orëve të pikut, kur rruga përdoret masivisht nga automjete dhe këmbësorë. Ata theksojnë se është e pakuptimtë që kazanët nuk janë vendosur brenda hapësirës së bollshme të trotuarit, i cili është projektuar me gjerësi të madhe.

"Është bërë trafiku te Myslym Shyri shumë problem, sepse këta të Bashkisë i lënë kazanët e plehrave në mes të rrugës, duke zënë gjithë krahun e korsisë."

"Mirë që e bënë me dy korsi dhe trotuar të madh, nuk mund t’i fusnin pak më në brendësi të trotuarit?"

"Flm," denoncojnë qytetarët e irrituar pranë redaksisë së JOQ.

Edhe bizneset e zonës janë të shqetësuara, pasi prania e plehrave në mes të rrugës po ndikon negativisht në qasjen e klientëve dhe imazhin e përgjithshëm të lagjes. Ata kërkojnë nga Bashkia që të rishikojë urgjentisht pozicionimin e koshave dhe të merren masa për të shmangur ngërçet e panevojshme.

Për momentin, autoritetet vendore nuk kanë reaguar lidhur me këtë shqetësim të përsëritur të qytetarëve, të cilët kërkojnë veprim të menjëhershëm për të rikthyer qarkullimin normal dhe për të respektuar hapësirën publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit