Telat e rrezikshëm të energjisë kërcënojnë jetën e banorëve në Spille

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 09.07.2025, 12:50

Kabllot elektrike të varura jashtë rrezikojnë fëmijët në Spille, ndërsa institucionet heshtin pas ankesave të përsëritura nga banorët e zonës.

Në fshatin Spille të Kavajës, banorët përballen çdo ditë me një rrezik serioz për jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Kabllot dhe telat e energjisë elektrike qëndrojnë të varura në mënyrë të rrezikshme jashtë shtëpive dhe përgjatë rrugëve, duke krijuar një situatë të frikshme sidomos për më të vegjlit.

Banorët po jetojnë me frikën se një tragjedi mund të ndodhë nga momenti në moment.

Sipas banorëve, ankesa të njëpasnjëshme janë dërguar tek autoritetet lokale dhe pranë OSHEE-së, por pa rezultat.

"Ju lutem, kam një shqetësim. Në fshatin Spille kemi një problem me energjinë elektrike, ku kabujt dhe telat janë të varur jashtë, dhe kemi frikë se mund t’i zërë korenti fëmijët. Ju lutem, na ndihmoni ta bëjmë pak publike këtë çështje, sepse kemi bërë ankesa, por na kalojnë dorë më dorë dhe nuk përgjigjet askush," shkruan denoncuesi pranë redaksisë së JOQ.

Përballë kësaj situate, komuniteti kërkon që problemi të marrë vëmendjen e duhur nga institucionet përgjegjëse dhe të ndërhyhet menjëherë për të siguruar izolimin dhe sistemimin e linjave elektrike.

Ndërkohë, apeli publik përmes mediave është bërë shpresa e fundit për banorët, të cilët ndihen të braktisur dhe të ekspozuar përballë një rreziku që mund të shmanget me një ndërhyrje të thjeshtë teknike.

Ata kërkojnë nga autoritetet që të mos presin një fatkeqësi për të vepruar, por të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur jetën e banorëve, sidomos të fëmijëve të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit