Jashar Spaho, 70-vjeçari që ishte raportuar i zhdukur që nga data 28 qershor, është gjetur sot i pajetë në lumin Devoll, në zonën mes fshatit Tren dhe Bitinckë. Në datë 29 qershor JOQ publikoi apelin e familjarëve të tij që kërkonin ndihmë për gjetjen e Spahos.
Ai ishte nisur për të shkuar në Korçë me një taksi, dhe për herë të fundit është parë në afërsi të terminalit të autobusëve. Ky ka qenë momenti i fundit kur është parë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, duke marrë në konsideratë dy pista kryesore, një aksident i mundshëm ose vetëvrasje. Trupi i pajetë është dërguar në morg për ekspertizën mjeko-ligjore që do ndihmojë në sqarimin e shkaqeve të vdekjes.
Sipas deklarimeve të familjarëve, Jashari nuk kishte shfaqur ndonjë problem të shëndetit mendor, por kohët e fundit ishte tepër i shqetësuar për vëllanë e tij të sëmurë. Kjo gjendje emocionale mund të ketë ndikuar në veprimet e tij, megjithatë hetimet pritet të përcaktojnë me saktësi se çfarë ka ndodhur.