Banorët e Thethit përplasen me IKMT-në për prishjen e objekteve pa leje në zemër të fshatit turistik

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 09.07.2025, 09:45

Banorët e Thethit bllokojnë urën hyrëse për të kundërshtuar aksionin e IKMT-së që synon shembjen e 40 ndërtimeve pa leje në të gjithë zonën

Banorët e Thethit dolën në protestë këtë të mërkurë në orët e para të mëngjesit, duke kundërshtuar vendimin e IKMT-së për të shembur ndërtimet pa leje në këtë fshat turistik të Alpeve. Si shenjë revolte, ata bllokuan urën hyrëse të fshatit, duke paralizuar qarkullimin dhe duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të aksionit.

Në terren janë të pranishëm edhe forca të shumta policie, që kanë shoqëruar operacionin e IKMT-së për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Tensionet janë rritur dita-ditës që nga e hëna, kur nisi shembja e strukturave të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

Deri më tani, janë shembur pesë objekte të ndërtuara pa leje, ndërsa IKMT-ja ka paralajmëruar prishjen e gjithsej 40 ndërtimeve në të gjithë territorin e fshatit. Një ditë më parë, u hoqën edhe 12 kabina turistike në qendër të Thethit, që ishin vendosur pa miratim zyrtar.

Banorët pretendojnë se nuk janë konsultuar dhe se aksioni është i njëanshëm, duke theksuar se shumë prej këtyre objekteve janë burim të ardhurash për ekonominë lokale që jeton nga turizmi. Ata kërkojnë një zgjidhje ligjore dhe humane që të mos dëmtojë zhvillimin e zonës.

Nga ana tjetër, IKMT-ja këmbëngul se ndërtimet janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe duhet të shemben, pavarësisht funksionit të tyre. Institucioni ka theksuar se asnjë procedurë penale nuk është regjistruar për rastet në fjalë nga prokuroria e Shkodrës, ndaj ka vepruar bazuar në kompetencat që i jep ligji.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në pezullimin e operacionit. Ata kërkojnë një proces të drejtë, ku edhe komuniteti të dëgjohet para se të merren vendime që prekin drejtpërdrejt jetesën e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit