Vrasja misterioze pranë Liqenit të Shkopetit: çfarë fshihet pas ekzekutimit të 23-vjeçarit në Mat?

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 09.07.2025, 08:56

Trupi i një të riu 23-vjeçar u gjet pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa dyshohet se automjeti i tij përfundoi në ujë pas të shtënave me armë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Madheshit në Ulëz, ku një i ri 23-vjeçar është gjetur i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Ngjarja ndodhi në territorin e Matit, ndërsa hetimet janë ende në fazën fillestare.

Mbrëmjen e kaluar, babai i viktimës, shtetasi R. D., paraqiti kallëzim në Komisariatin e Policisë së Matit duke raportuar zhdukjen e të birit. Sipas deklaratës së tij, djali nuk ishte kthyer në banesë dhe nuk kishte asnjë kontakt me familjen.

Menjëherë pas denoncimit, forcat policore nisën kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit Renis Dobra. Pas disa orësh kontroll në zonat përreth, trupi i pajetë u gjet pranë liqenit, në një zonë të pyllëzuar dhe të izoluar. Automjeti i tij dyshohet se përfundoi në ujë pas sulmit.

Sipas burimeve nga vendngjarja, i riu udhëtonte me makinë kur dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Të shtënat janë dëgjuar nga banorët e zonës, të cilët nuk mundën të përcaktonin drejtimin e tyre për shkak të terrenit të thyer. Por burime nga policia nuk e mbështesin tërësisht këtë version, pasi në trupin e të riut nuk janë gjetur plagë nga të shtënat me armë zjarri. Ndërkohë kanë mbërritur ekspertët nga Tirana për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Hetimet janë marrë në dorë nga një grup i posaçëm hetimor, ndërsa Prokuroria e Rrethit të Matit ka nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare mbi motivet e mundshme të kësaj vrasjeje.

Ende nuk dihet nëse viktima kishte konflikte të mëparshme apo nëse atentati ishte i planifikuar. Megjithatë, fakti që trupi i pajetë u gjet jashtë automjetit ka ngritur dyshime të forta për një ndërhyrje nga persona të tretë.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për sigurinë në rajon dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, familjarët e viktimës ndodhen në gjendje të rëndë emocionale, duke kërkuar drejtësi për humbjen e djalit të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit