Qeveria ndryshon kurs për Akërni Solar, por jo standardet në kontratat energjetike

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 09.07.2025, 08:32

Kontrata e bllokuar për 7 vjet në Akërni rikthehet pa ndryshime, ndërsa shteti paguan energjinë me çmim më të lartë se çdo impjant tjetër

Në gusht të vitit 2018, qeveria shqiptare hapi ankandin për ndërtimin e një parku diellor me kapacitet 100 megavat në Akërni të Vlorës. Nga ky proces rezultoi fitues konsorciumi India Power Corporation, i cili pranoi të investonte 70 milionë euro dhe të shiste gjysmën e energjisë për 15 vite me çmimin 59.9 euro/MWh.

Kompania fituese krijoi “Akërni Solar” në Shqipëri, një degë e Arka Energy me seli në Hollandë. Por menjëherë pas shpalljes së fituesit, në dhjetor 2018, ndryshimi në drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës solli një kthesë të papritur. Me ardhjen e Belinda Ballukut në krye të dikasterit, projekti u shty në heshtje.

Për dy vite, ministrja refuzoi të firmoste kontratën, pavarësisht kërkesave zyrtare të kompanisë. Një zvarritje që nuk shoqërohej me asnjë vendim të dokumentuar, ndërkohë që ndërkohë qeveria zhvilloi një ankand tjetër për parkun diellor në Karavasta, ku kompania Voltalia ofroi një çmim më të ulët: vetëm 24.9 euro/MWh.

Krahasimi i çmimeve u përdor si justifikim i heshtur për të mos proceduar me Akërninë, edhe pse kontrata ishte në përputhje me kushtet e shpallura dhe fituesi ishte zyrtar. Në dhjetor 2020, India Power Corporation e çoi çështjen në Arbitrazh në Uashington duke kërkuar 110 milionë euro dëmshpërblim.

Megjithatë, për çudi, kompania hoqi dorë nga gjyqi një vit më vonë, duke mos paguar tarifat për procedurën gjyqësore. Kjo lëvizje shkaktoi habi, pasi rasti juridik i saj ishte i fortë: ajo kishte fituar një tender publik dhe ishte penalizuar pa arsye zyrtare.

Pas heshtjes, në prill të vitit 2025, gjatë një aktiviteti elektoral në Fier, ministrja Balluku sinjalizoi se projekti i Akërnisë po riaktivizohej. Dy javë më vonë, kontrata u firmos sërish, me të njëjtat kushte të vitit 2018, përfshirë çmimin 59.9 euro/MWh – tashmë pa asnjë debat për koston.

Ky vendim i vonuar ngre pyetje të forta për standardet e dyfishta që ndjek qeveria në kontrata të ngjashme. Si është e mundur që një marrëveshje e refuzuar për vite me radhë, me arsyetimin se ishte e shtrenjtë, miratohet sërish pa ndryshuar asnjë presje?

Ndërkohë, gjatë viteve 2021-2022, qeveria u detyrua të blejë energji në tregjet ndërkombëtare me çmime që varionin nga 200 në 300 euro për megavat, duke shpenzuar mbi 500 milionë euro nga fondet publike. Në këtë sfond, vonesa për projektin e Akërnisë rezulton jo vetëm burokratike, por e dëmshme ekonomikisht për vendin.

Kjo qasje jo konsistente në menaxhimin e kontratave publike tregon mungesë serioziteti shtetëror dhe nxjerr në pah modelin e një qeverie që vendos sipas interesave të momentit, jo sipas një standardi të barabartë për të gjithë. Rasti i Akërnisë nuk është i izoluar – një sjellje e ngjashme u vu re edhe me projektin Thumanë-Kashar.

Shteti ka detyrimin të mbajë një standard të njëjtë në çdo ankand, kontratë apo marrëveshje koncesionare. Ndryshe, krijohet një klimë mosbesimi për investitorët dhe një barrë e rëndë për qytetarët, të cilët në fund të ditës, paguajnë kostot e vendimeve të vonuara dhe të paarsyetuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit