Diploma universitare po humbet vlerën ndër të rinjtë, që diplomohen kot për sport pa kuptuar kërkesat reale të tregut të punës.
Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë të rinj përfundojnë arsimin e lartë pa pasur një ide të qartë se çfarë roli do të luajnë në tregun e punës. Diploma universitare është kthyer në një formalitet, ndërsa studentët dalin nga auditorët me dije që nuk u shërbejnë për asgjë në realitetin ekonomik të vendit.
Tregu ka ndryshuar rrënjësisht. Sot nuk kërkohen më thjesht tituj, por aftësi konkrete dhe njohuri teknike të zbatueshme. Punëdhënësit janë më të interesuar për individë të kualifikuar profesionalisht sesa për mbajtës të një diplome masteri, që nuk zotërojnë as bazat praktike të profesionit të tyre.
Kjo prirje po përforcohet edhe nga statistikat. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë të vitit 2025, norma e papunësisë për të rinjtë me arsim të lartë arriti në 22.9%, një rritje alarmante nga 18.6% që ishte në vitin 2024. Ndërkohë, të rinjtë me arsim të mesëm panë një përmirësim të ndjeshëm, me papunësinë që ra nga 28.5% në 22.1%.
Ky ndryshim tregon qartë se individët me formim profesional dhe trajnim teknik janë më të kërkuar, ndërsa studentët e universiteteve prodhojnë dije të panevojshme, të cilat nuk kanë asnjë vlerë në punë konkrete. Kurrikulat janë jashtë realitetit dhe nuk përputhen me nevojat e tregut. Shumë lëndë janë teorike dhe pa ndikim praktik, duke i kthyer studentët në të diplomuar me dije parazitare.
Për të rinjtë me arsim bazë, papunësia është rritur nga 19.8% në 22.1%, çka sugjeron se sektori i punës kërkon më pak edhe me arsim bazë. Megjithatë, është alarmante që të diplomuarit universitarë po e kalojnë edhe këtë kategori në nivelin e papunësisë, duke dëshmuar për një krizë besimi dhe funksioni të arsimit të lartë.
Largimi i të rinjve nga Shqipëria po përshpejtohet. Ata që nuk gjejnë vend në tregun vendas, përpiqen të ndërtojnë jetën jashtë. Pas pandemisë, ky trend është intensifikuar dhe shoqërohet me një tkurrje dramatike të popullsisë së re. Nga viti 2011 deri në 2023, grupmosha 0-29 vjeç ka rënë me 44 për qind, një normë që nuk e kalon asnjë vend tjetër në Europë.
Mosha mesatare e popullsisë shqiptare në janar 2025 ishte 44.3 vjeç, duke iu afruar mesatares së Bashkimit Evropian, që është 44.7 vjeç. Ndërkohë, vetëm një dekadë më parë, në vitin 2015, Shqipëria kishte një moshë mesatare 27.2 vjeç. Kjo plakje e shpejtë e popullsisë është një tjetër pasojë direkte e dështimit të sistemit arsimor për t’u lidhur me realitetin dhe nevojat e tregut.
Nëse nuk rishikohen urgjentisht kurrikulat universitare dhe nuk forcohet arsimi cilësor, diploma do të vazhdojë të prodhojë papunësi, ndërsa Shqipëria do të humbasë brezat e saj më të rinj dhe më të arsimuar.