Të mërkurën pritet të përjetohet dita më e shkurtër ndonjëherë, pasi Toka po rrotullohet me një shpejtësi gjithnjë e më të lartë
Shkencëtarët parashikojnë që e mërkura do të shënojë ditën më të shkurtër të regjistruar ndonjëherë, për shkak të një përshpejtimi të pazakontë në rrotullimin e Tokës. Kjo dukuri është vërejtur edhe më parë gjatë verës së kaluar, konkretisht më 9 korrik, 22 korrik dhe 5 gusht, kur dita ishte mesatarisht 1.3 deri në 1.51 milisekonda më e shkurtër se zakonisht.
Toka, e cila zakonisht kryen një rrotullim të plotë në 24 orë ose 86,400 sekonda, është duke u rrotulluar më shpejt se më parë. Më 5 korrik 2024, u regjistrua dita më e shpejtë ndonjëherë, duke zgjatur 1.66 milisekonda më pak se koha standarde. Këto matje janë bërë përmes orëve atomike, pajisje jashtëzakonisht precize që matin dridhjet e atomeve.
Megjithëse arsyeja e saktë për këtë përshpejtim mbetet mister, disa faktorë duket se luajnë rol, përfshirë ndryshimet atmosferike, shkrirjen e akullnajave, lëvizjet në bërthamën e Tokës dhe dobësimin e fushës magnetike. Sipas profesorëve të astrofizikës dhe gjeoshkencave, çdo ndryshim, sado i vogël, mund të ndikojë në sistemet satelitore, në saktësinë e GPS-it dhe në teknologjitë që varen nga ndarja në sekonda.
Përpara vitit 2020, Toka kishte një prirje drejt ngadalësimit, pjesërisht për shkak të tërheqjes gravitacionale të Hënës, e cila e shtyn ditën drejt një zgjatjeje të ngadaltë. Studiuesi Stephen Meyers nga Universiteti i Wisconsin-Madison parashikon që pas rreth 200 milion vitesh, një ditë mund të zgjasë 25 orë.
Shkencëtarët theksojnë se ndikimet klimatike mund të kenë luajtur rol në këtë përshpejtim të fundit. Fenomene si El Niño apo rritja e shkrirjes së akullnajave gjatë verës mund të kenë zhvendosur masën e Tokës duke ndikuar në balancën e saj. Sipas gjeofizikanit Richard Holme, faktori gjeografik luan gjithashtu rol, pasi pjesa veriore e planetit ka më shumë tokë dhe pemë që, kur mbushen me gjethe, zhvendosin masën më larg nga boshti i rrotullimit.
Lëvizjet e lëngshme në bërthamën e brendshme të Tokës, që është e përbërë nga metale të shkrira, mund të ndikojnë në formën dhe ekuilibrin e planetit. E gjitha kjo ndikon në mënyrën se si Toka rrotullohet dhe se si e masim kohën.
Sipas të dhënave nga Observatori Detar i SHBA-së dhe Shërbimet Ndërkombëtare të Rrotullimit të Tokës, viti 2024 ka shënuar më shumë ditë me rrotullime më të shkurtra se çdo vit tjetër. Kjo i ka shtyrë ekspertët të shqyrtojnë mundësinë e heqjes së një sekonde nga Koha Universale e Koordinuar (UTC), përmes një “sekonde negative” – një praktikë që nuk është aplikuar kurrë më parë.