Dhjetëra qytetarë shqiptarë janë përballur me një situatë të papritur dhe tejet zhgënjyese në aeroportin e Barit, pasi linja ajrore Wizz Air anuloi fluturimin drejt Tiranës pa asnjë paralajmërim.
Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, udhëtarët nuk janë njoftuar më herët për anulimin dhe kanë marrë vesh lajmin vetëm kur ndodheshin fizikisht në aeroport, të gatshëm për të udhëtuar drejt Shqipërisë.
“Nuk na dhanë asnjë informacion, as hotel, as ushqim – asgjë! Thjesht e anuluan kur ishim të gjithë aty dhe askush nuk jep asnjë përgjigje. Përfaqësuesit e Wizz Air janë këtu, por sillen sikur s’ka ndodhur asgjë,” – thotë një pasagjer që ka dërguar video nga vendngjarja.
Fluturimi i radhës për në Tiranë është shtyrë për nesër në orën 20:00, ndërsa qytetarët shprehen të indinjuar që kompania nuk ka ofruar asnjë akomodim për natën dhe asnjë asistencë minimale, duke i lënë njerëzit në mëshirë të fatit.
“Lutemi ta publikoni, sepse kjo që ndodh me shqiptarët është tallje!”, shkruan një tjetër qytetare nga aeroporti.
JOQ Albania disponon edhe pamjet që tregojnë pasagjerët të grumbulluar përpara sportelit të Wizz Air, duke kërkuar llogari për anulimin pa paralajmërim dhe trajtimin aspak njerëzor që po u bëhet.