Një qytetare ka dërguar një denoncim tronditës në redaksinë e JOQ Albania, ku tregon kushtet alarmante higjieno-sanitare në bordin e një avioni të linjës Air Albania, në fluturimin e sotëm nga Tirana në drejtim të Stambollit.
Ajo ka ndarë edhe një video që tregon gjendjen e mjerueshme të avionit, duke u shprehur se nuk ka përjetuar ndonjëherë një udhëtim kaq të ndotur, pavarësisht se ka udhëtuar shumë në jetën e saj.
Sipas saj, në bord kishte të vjella dhe jashtëqitje, ndërsa stafi ishte i paorganizuar dhe jo profesional.
Denoncimi i plotë i qytetares:
“E dashur redaksi e JOQ, përshëndetje. Kjo video që po ju dërgoj është nga fluturimi Tiranë–Stamboll i ditës së sotme, ora 12:20. Biletën e kisha blerë nga Turkish Airlines për fluturimin e përbashkët që supozohet se operohet nga Air Albania. Avioni ishte me logon e Air Albania, por në të vërtetë një avion i qelbur, i pistë arab me një staf rus që ishin totalisht inkoherentë në çdo gjë që bënin.
Është udhëtimi më i pistë që kam bërë në jetën time 46-vjeçare, dhe nuk kam udhëtuar pak. Më vjen shumë keq të hedh baltë mbi emrin e të vetmit operator kombëtar të fluturimit, por për fat të keq në avion kishte të vjella e jashtëqitje gjithandej, kështu që balta ime mbetet pak.
Mbetet tek ju apo e publikoni diku materialin nuk e di, por di që për biletën e blerë disa qindra euro për një fluturim 70-minutësh, unë dhe pasagjerët e tjerë jemi shumë të indinjuar dhe do të donim të na dëgjohej zëri. Faleminderit.”
Ky denoncim ngre seriozisht alarmin për standardet e sigurisë dhe higjienës në linjat ajrore shqiptare, veçanërisht kur bëhet fjalë për udhëtime të përbashkëta me kompani ndërkombëtare si Turkish Airlines. Pasagjerët kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi!