Benet Beci pak javë më parë promovonte ndërtimet e paligjshme në Theth

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 08.07.2025, 18:55

Në Theth u prishën 19 objekte pa leje, por më parë ato ishin promovuar si turizëm nga Benet Beci vetë.

Vetëm pak javë më parë, kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci e promovonte Thethin si model zhvillimi rural, duke heshtur ndaj godinave pa leje që mbinin pranë monumenteve natyrore. Ironikisht, i njëjti vend ku ai pozonte për kamera, sot është shndërruar në shesh ndërhyrjeje të IKMT-së.

"Në muajin maj ishte vetë Benet Beci që promovonte Thethin bashkë në cep me godinat pa leje," denoncojnë qytetarët pranë JOQ.

Aksioni për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në Theth ka përfshirë ndërhyrje të shumta në njësinë administrative Shalë. Fadromat kanë shembur gjithsej 19 struktura, ndër to 10 ndodhen brenda oborrit të kishës së vjetër të Thethit, një nga simbolet e trashëgimisë kulturore të zonës.

Aksioni është kryer nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Thethi po shndërrohet në një zonë të mbushur me ndërtime të paligjshme që rrezikojnë identitetin natyror dhe kulturor të fshatit. Ndërtimet pa kontroll janë shtuar vit pas viti, duke u toleruar deri në pikën që shkatërrimi u bë i dukshëm.

Ndërhyrja e IKMT-së nuk ka hasur ende në kundërshtime të hapura nga ana e pronarëve, çka nënkupton një farë konsensusi publik, ose ndoshta frikë nga penalizimet. Por ajo që mbetet thelbësore është pyetja se pse ndërhyrja institucionale vjen gjithmonë pas një periudhe heshtjeje dhe promovimi nga të njëjtët aktorë politikë.

Rasti i Benet Becit shërben si shembull tipik i kontradiktës midis promovimit politik dhe realitetit të shkatërrimit. Nëse Thethi do të mbrohet vërtet, nuk mjafton shembja e ndërtimeve – duhet të ndalohen ato para se të ngrihen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit