Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore nga turistët në Butrint dhe te Syri i Kaltër

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 08.07.2025, 18:23

Turistët shkelin me arrogancë rregullat në Butrint dhe te Syri i Kaltër, duke dëmtuar pasuritë kulturore dhe mjedisore përballë heshtjes së autoriteteve.

Kjo verë ka sjellë një valë shqetësuese sjelljesh të papërgjegjshme në zonat turistike më të vizituara të vendit. Gjatë një vizite në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe te Syri i Kaltër, u vu re se mungesa e kontrollit dhe mosrespektimi i rregullave ka degraduar ndjeshëm përvojën kulturore dhe natyrore.

Në Butrint, monumente me një histori mbi 2000-vjeçare u shkelën me këmbë nga turistë që injoronin qartë tabelat ndaluese.

Shenjat paralajmëruese ishin të pranishme në çdo cep, por mungesa e personelit për të mbikëqyrur situatën i bënte ato të pavlera. Në një rast tjetër, një çift turistësh nga Ukraina u pa i ulur mbi kolona mijëravjeçare, dhe kur u kërkua që të largoheshin, ata refuzuan pa asnjë ndjesi faji.

Gjendja ishte edhe më e rëndë te Syri i Kaltër. Edhe pse është ndaluar rreptësisht noti në këtë monument natyror, disa grupe turistësh u futën në ujë, u ngjitën në pemë dhe hidheshin prej andej si në një park zbavitës. Ndërhyrjet për t’i ndalur hasën në përçmim dhe arrogancë.

“Përshëndetje,”shkruan qytetari. “Doja të bëja një lajmërim për çfarë më panë sytë këtë verë.

Isha në Butrint dhe Syrin e Kaltër. Tek të dyja zonat, të tejmbushura me turistë që nuk respektonin rregullat dhe nuk kishte njeri t’i ndalonte.

Turistë në muret 2000-vjeçare. Tabela thoshte: ‘Mos hipni’. Kur i fola, tha në anglisht: ‘Pse, këtu punon?’ dhe nuk ndaloi, se ecën sipër.

Shenjat ishin gjithandej, por asnjë njeri që t’i forconte.

Një çift ukrainas ishte ulur në kolona mijëra vjeçare. Kur i thashë të ngrihen – refuzuan.

Tek Syri i Kaltër nuk lejohet më noti. Aman, ky grup s’i interesonte fare. Hipnin në pemë dhe hidheshin.”

“Këta zotërinj këtu hidheshin nga pemët. Kur i fola – më thanë: ‘Jemi nga Ukraina,’ edhe: ‘Ca halli ke ti?’ Nuk kishte polici gjëkundi. I denoncova tek hyrja dhe më thanë: ‘Paguhet një security, por që s’e bën punën.’”

“Më vjen keq të shoh si keqtrajtohen zonat tona nga turistët dhe sa nuk e çajmë kokën, fëmijët tanë s’do kenë ku të shkojnë më, se s’do ketë më këto vende.”

“Nëse ka ndonjë vend ku mund të denoncoj, ju lutem më thoni. Kishte turistë nga e gjithë Evropa që po na e trajtonin vendin si nevojtore.”

Kur qytetarja u përpoq të denonconte incidentet te hyrja, iu tha se kishte një punonjës sigurie, por ai nuk kishte marrë asnjë masë. Ajo u ndje e pafuqishme dhe e zhgënjyer që trashëgimia shqiptare po përdhosej pa asnjë reagim nga autoritetet.

Turistët nga vende të ndryshme të Evropës po e përdorin Shqipërinë si një vend ku gjithçka lejohet, ndërsa mungesa e kontrollit po çon drejt shkatërrimit të vlerave tona historike dhe natyrore. Nëse kjo situatë vijon, gjeneratat e ardhshme nuk do të kenë më mundësi të shohin këto mrekulli.

Kërkohet një reagim urgjent institucional. Trashëgimia jonë nuk mund të mbrohet me tabela – ajo kërkon prani, reagim dhe përgjegjësi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit