Donika ‘kullufit’ dhe të afërmen e saj! Kush fshihet pas 33-vjeçares?

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 08.07.2025, 19:20

Donika Curri, mashtruesja 33-vjeçare nga Tirana e cila në qershor u vendos në pranga nga policia e Lezhës për një skemë të sofistikuar mashtrimi që u kishte bërë disa grave duke i futur në kredi të “IUTE Credit”, është rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes.

Me sa duket, Donika kishte zgjedhur mashtrimin si mënyrë jetese. Ditën e sotme ajo është marrë në hetim dhe nga Policia e Tiranës, pasi është denoncuar nga një e afërme e saj 25-vjeçare për falsifikim dhe mashtrim. Donika dyshohet se përdori të dhënat personale të së afërmes të saj, si foton e kartës së identitetit, duke u futur në platformën e-Albania dhe më pas duke aplikuar për kredi.

Të gjithë skemën Donika e bëri duke skanuar foton e kartës së ID-së së 25-vjeçares. Pasi bëri këto procedura, ajo aplikoi për një kredi me vlerë 3 500 euro, në emër të së afërmes të saj.

Por kjo nuk është hera e parë që Donika Curri përdor këtë skemë mashtrimi. Dy javë më parë ajo arriti të mashtrojë 23 gra në Lezhë, duke i marrë kartat e identitetit me pretekstin se do t’u gjente punë. Më pas, nëpërmjet aplikacionit “MyIute” ajo mori kredi në emër të të gjithave, vlera që varionin deri në 5 mijë euro. Disa prej grave nuk ishin fare në dijeni të kredive në emrin e tyre.

Për mashtrimet e shumta që Donika ka bërë, ajo pritet të përgjigjet para ligjit. Por a duhet ta ndjekin dhe përgjegjës të tjerë nga pas? Si arriti një 33-vjeçare nga Tirana të mashtrojë një institucion kreditor si IUTE Credit dhe të marrë 23 kredi në emra të ndryshëm, pa pasur bashkëpunëtorë të brendshëm në këtë mes? Çfarë masash u ndërmorën për verifikimin e kredimarrësve dhe mundësisë së tyre për të shlyer borxhin?

Ky rast ngre shumë pikëpyetje... A duhet që dikush tjetër të vetëflijohet (kujtojmë këtu rastin e Pal Trashajt, i cili nuk u pranua në SPAK për të bërë një denoncim lidhur me përmbaruesit që po ‘i merrnin jetën’, dhe i dha fund jetës para godinës së qelqtë duke pirë fostoksinë) që Banka e Shqipërisë të zgjohet nga gjumi dhe të ndërhyjë për vënien nën kontroll të procedurave që ndjekin këto institucione kreditore?

Kujtojmë se në të shkuarën dhe institucione kreditore si MCA dhe Final ndiqnin një skemë të ngjashme kriminale, duke shkaktuar dhimbje dhe stres te mijëra qytetarë që binin në grackën e tyre të mashtrimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit