Brukseli kritika të forta qeverisë shqiptare: drejtësia nën presion, korrupsioni i përhapur

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 08.07.2025, 21:54

Raporti i BE-së evidenton dështimet e thella në luftën kundër korrupsionit dhe paralajmëron se këto mangësi mund të vonojnë më tej negociatat për integrimin në Bashkimin Europian.

Një goditje e fortë politike vjen nga Brukseli për qeverinë shqiptare. Raporti i Komisionit Europian për vitin 2025 mbi sundimin e ligjit në Shqipëri është kritik dhe i drejtpërdrejtë, duke nxjerrë në pah një panoramë të zymtë për gjendjen e institucioneve, ndikimin politik mbi drejtësinë dhe dështimin e reformave të shpallura.

Sipas dokumentit, një ndër çështjet më alarmante është krijimi dhe funksionimi i komisionit “Xhafaj”, i cili u ngrit pa konsensus politik dhe ka hasur në mospërfillje nga institucionet e drejtësisë. Komisioni cilësohet si një trupë me ndikim të kufizuar, me mungesë transparence dhe metodologji të paqarta, duke krijuar rrezik për dublim të punës së institucioneve ekzistuese.

Për më tepër, raporti nënvizon se ndërhyrjet politike pas arrestimit të një zyrtari të lartë nga SPAK-u kanë cenuar rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Sulmet publike dhe presioni institucional përbëjnë një precedent të rrezikshëm që minon të gjithë përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të pavarur.

Korrupsioni vijon të jetë i përhapur në të gjitha nivelet. Procedurat e errëta të prokurimeve publike, sidomos në partneritetet publike-private, dhe keqpërdorimi i fondeve zgjedhore, janë disa nga fushat ku abuzimi është bërë normë. Edhe pse SPAK-u ka shënuar suksese domethënëse në ndjekjen penale, me mbi 100 të dënuar për korrupsion në vitin 2024, struktura mbetet e mbingarkuar dhe e papajisur me burime të mjaftueshme.

Institucione të tjera si ILDKP-ja dhe Policia e Shtetit nuk arrijnë të jenë efektive në luftën kundër korrupsionit. Kontrolli i pasurive të zyrtarëve është sipërfaqësor dhe i paaksesueshëm publikisht, duke dëmtuar rëndë transparencën dhe llogaridhënien.

Raporti nuk lë jashtë as problemet me lirinë e medias. Koncentrimi i pronësisë mediatike në pak duar me lidhje të forta politike, bashkë me rritjen e sulmeve personale ndaj gazetarëve dhe përdorimin e padive si mjet frikësimi, e kanë dobësuar fjalën e lirë në vend.

Në përfundim, BE ngre një paralajmërim të qartë: nëse nuk merren masa konkrete për garantimin e pavarësisë së drejtësisë dhe për fuqizimin e institucioneve, Shqipëria rrezikon të humbasë besueshmërinë e saj si vend kandidat. Këto mangësi serioze mund të vonojnë ndjeshëm hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit