Një pronar dyqani në Vlorë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një vjedhje që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Sipas tij, një i ri është futur në mënyrë të paligjshme në ambientet e biznesit të tij me qëllim për të grabitur. Ai shprehet me ironi se hajduti ka rrezikuar jetën për të vjedhur vetëm 1000 lekë të rinj (ose 10 mijë lekë të vjetra), pasi në arkë nuk ndodheshin më shumë para se aq.
Siç shihet dhe në pamjet e dërguara nga qytetari, të kapura nga kamera e sigurisë, hajduti kërkon dëshpërimisht në çdo cep e sirtar të biznesit, por duket se në fund për të 'nuk ja ka vlejtur barra qiranë'.
“Përshëndetje JOQ! Dje në orën 1 të natës në dyqanin tim ka hyrë një hajdut. Hajduti në Vlorë rrezikoi kokën për 1000 lekë që ndodheshin në arkë. Do ta denoncoj sot në polici,” shkruan ai.
Ngjarja është kapur nga kamerat e sigurisë dhe materialet pritet të dorëzohen në polici për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorit.