Rebelët Houthi sulmojnë anijen greke të mallrave në Detin e Kuq, vriten tre marinarë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.07.2025, 17:33

Tre marinarë kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi të rebelëve Houthi në një anije mallrash me flamur të Liberisë në Detin e Kuq, bëri të ditur forca detare e Bashkimit Europian.

Anija “Eternity C”, me pronësi greke, u qëllua të hënën në mbrëmje teksa po lundronte drejt Kanalit të Suezit. Sulmi u krye nga rebelë të armatosur në gomone të vogla dhe nga dronë të mbushur me eksplozivë. Sipas Forcës Detare të BE-së dhe kompanisë private të sigurisë “Ambrey”, personeli i sigurisë në bord u përpoq të kundërpërgjigjej me armë zjarri.

Njëri nga marinarët e plagosur humbi njërën këmbë, ndërsa anija aktualisht ndodhet në gjendje të palëvizshme në det.

Houthit nuk e kanë marrë ende zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin, por qeveria në mërgim e Jemenit dhe forcat europiane i kanë akuzuar drejtpërdrejt ata.

Ky është sulmi i parë që nga nëntori 2024 dhe vjen menjëherë pas një tjetër incidenti të rëndë: të dielën, rebelët goditën me dronë, raketa dhe armë të tjera anijen “Magic Seas”, gjithashtu me flamur të Liberisë dhe në pronësi greke, duke detyruar 22 anëtarët e ekuipazhit të braktisnin mjetin. Më vonë, Houthit deklaruan se anija ishte fundosur.

Këto sulme kanë ringjallur frikën për një fushatë të re të Houthive kundër lundrimit në Detin e Kuq, që mund të përshkallëzojë edhe më shumë tensionet dhe të tërheqë ndërhyrjen e forcave amerikane dhe perëndimore, siç ndodhi në prill gjatë ofensivës ajrore të administratës Trump kundër rebelëve.

Situata është veçanërisht e ndjeshme në rajon, teksa pritet një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa Irani shqyrton mundësinë e rikthimit në negociatat për programin e tij bërthamor, pas bombardimeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor.

Houthit nisën sulmet ndaj anijeve tregtare dhe forcave izraelite që nga tetori 2023, në mbështetje të Palestinës pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Midis nëntorit 2023 dhe janarit 2025, ata kanë sulmuar mbi 100 anije tregtare, duke fundosur dy dhe duke vrarë katër marinarë.

Pavarësisht një pauze disa javëshe të sulmeve pas ofensivës amerikane në mars, lundrimi në Detin e Kuq ka nisur të rikthehet, por incidentet e fundit mund të çojnë në një tjetër paralizim të kësaj rruge tregtare që lëviz mallra me vlerë rreth 1 trilion dollarë në vit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit