Në zona si Hasturkasi dhe Ndernënasi, toka publike uzurpohet nga të “fortët”, ndërsa banorët jetojnë në varfëri ekstreme dhe pa asnjë akses mbi pasuritë natyrore të vendit.
Një skandal tjetër me përmasa të mëdha është zbuluar në Libofshë të Fierit, ku pasuritë publike po i kalojnë në dorë biznesmenëve, përmes falsifikimeve të dokumenteve zyrtare. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka vendosur sekuestrimin e 276.5 hektarëve tokë në zonat e pyllëzuara dhe kullotave të fshatit Hasturkas.
Kjo sipërfaqe e madhe e tokës u përvetësua në mënyrë abuzive nga shtetasi T.Zh., përmes një vendimi të falsifikuar me numër 249, datë 22.02.2008, që supozohej se ishte lëshuar nga ish-komuna Libofshë. Tokat në fjalë, që janë pasuri publike, janë përçuar më tej nëpërmjet kontratave të shitjes dhe dhurimit, duke i dhënë pronës status të ligjshëm, edhe pse ajo ka qenë e përfituar në mënyrë kriminale.
Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se dokumentet mbi të cilat është bazuar kërkesa për pronësinë janë të falsifikuara dhe përmbajnë nënshkrime e të dhëna të rreme. Vendimi nr.5, datë 26.09.1999, rezulton të jetë firmosur në një ditë pushimi zyrtare – e diel – çka përforcon dyshimet se gjithçka është ndërtuar mbi një mashtrim të qëllimshëm.
Ky nuk është një rast i izoluar. Në bregdetin e Nderënasit dhe zona të tjera të njësisë administrative Libofshë, është vënë re një valë përvetësimesh të tokave publike nga persona të lidhur me biznese dhe interesa të mëdha ekonomike. Në të gjitha këto raste, shteti mungon, ndërsa populli vuan pasojat e një padrejtësie të institucionalizuar.
Qytetarët e zakonshëm, të cilët jetojnë në varfëri dhe pa asnjë mundësi për të ushqyer familjen, po përjashtohen plotësisht nga të mirat publike që u përkasin me të drejtë. Ndërsa kullotat dhe pyjet duhet të ishin në funksion të komunitetit dhe zhvillimit rural, ato po kalojnë në duart e një pakice që shfrytëzon çdo hapësirë ligjore e institucionale për të shtuar pasurinë.
Në këtë sfond të errët, Prokuroria e Fierit ka kërkuar sekuestrimin e menjëhershëm të këtyre pasurive, dhe gjykata ka miratuar këtë kërkesë. Urdhrat e ekzekutimit janë dërguar për zbatim, duke shënuar një hap të vonuar, por të rëndësishëm në përpjekjen për të ndalur këtë valë uzurpimesh.
Megjithatë, mbetet shqetësuese që raste të tilla të bëhen të njohura vetëm pas vitesh të tëra, ndërkohë që dëmi në pronën publike dhe në besimin e qytetarëve është i pallogaritshëm. Ndërkohë që institucionet premtojnë luftë ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale, në terren realiteti është një tjetër: grabitje e heshtur dhe abuzim sistematik.
Nëse këto praktika nuk ndalen, Libofsha do të jetë vetëm një shembull në hartën e një Shqipërie ku toka i mbetet më të fortit, ndërsa populli i zakonshëm e sheh veten i huaj në pronën e vet.