Pas Vlorës, kryeministri ka ndjekur të njëjtën formulë dhe në Fier. Rama iu ka kërkuar dorëheqje të gjithë drejtuesve të bashkisë si dhe drejtuesve të institucioneve. Me këto lëvizje, sipas kryeministrit, rrënja e çdo problemi nuk është sistemi, por individët dhe në këtë rast, të gjithë drejtorët e bashkisë. Mesa duket kur një anije merr ujë, faji është i lopatave, jo i kapitenit.
Pas ultimatumit të të madhit, drejtuesit lokalë të Fierit po përgatiten të lënë postin sepse dikush duhet të largohet dhe ata janë më të përshtatshmit sesa kryebashkiaku Subashi. Mesa duket sipas Ramës është shumë më lehtë të ndryshosh kokat në terren, sesa të pranosh që ndoshta, sistemi i komandës që vjen nga lart ka ndonjë mangësi.
Kujtojmë se kryeministri ka mbërritur në Fier këtë pasdite, ndërsa shihet i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi. Këto ndryshime si duket kanë strategji të re të qeverisjes: "Lëvizje për të mos lëvizur gjë". Të paktën urojmë që qytetarët e Fierit me ndryshimin e fytyrave të drejtorëve të shohin ujë të pijshëm, pastërti në zonë, pra shërbime në dobi të tyre.
Pritet që më pas Rama të shkojë në Durrës. Kujtojmë se Bashkia e Vlorës ishte e para që u përball me ultimatumet e kryeministrit, ku dhanë dorëheqjen 21 drejtorë të këtij institucioni. Të enjten Rama zhvilloi një takim prej 1 orësh në këtë bashki, ku të gjithë i ndëshkoi, përveç kokës, Ermal Dredhës.