Në Tiranë po shemben çadrat dhe ndërtimet pa leje, ndërsa kioskat në bulevardin Zogu I zgjerohen dhe bëjnë investime të reja.
Në Tiranë, autoritetet kanë nisur një fushatë të gjerë për heqjen e çadrave dhe objekteve të vendosura pa leje në hapësirat publike, duke u mbështetur në ligjin për disiplinimin urban. Kjo ndërhyrje është përshëndetur nga disa qytetarë, por ka ngjallur edhe reagime të shumta për shkak të mënyrës selektive të zbatimit.
Ndërsa çadrat dhe ndërtimet e vogla shemben çdo ditë nga inspektorët, në të njëjtën kohë kioskat e vendosura në qendër të Bulevardit "Zogu i Parë" duket se jo vetëm nuk preken, por përkundrazi, po zgjerojnë aktivitetin e tyre dhe po realizojnë investime të reja.
"Heqja e çadrave dhe ndërtimet pa leje prishen. Ndërsa kioskat në mes të bulevardit Zogu i Parë bëjnë investime, zgjerohen. Është normale?" pyet denoncuesi.
Banorët e zonës ngrenë shqetësime se trajtimi i ndryshëm i këtyre strukturave krijon një standard të dyfishtë dhe thellon perceptimin për favorizime selektive, veçanërisht në qendër të qytetit ku interesat janë më të mëdha.
Kioskat që zënë hapësira publike përballë syrit të qytetarëve nuk kanë pësuar asnjë ndërhyrje, ndërkohë që objekte të vogla, shpesh të vetëpunësuarve që sigurojnë të ardhura për mbijetesë, janë shembur pa kompromis.
Mungesa e një transparence të qartë për kriteret dhe objektivat e këtij aksioni i ka dhënë vend kritikave në rritje ndaj Bashkisë së Tiranës, e cila akuzohet për veprime të njëanshme dhe jo në funksion të interesit të qytetarëve.