Tragjedi në aeroportin e Bergamos, një burrë vdes pasi u thith nga motori i avionit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.07.2025, 14:28

Një incident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aeroportin Orio al Serio të Bergamos, ku një burrë ka humbur jetën pasi është thithur nga motori i një avioni të kompanisë Volotea.

Sipas informacioneve paraprake, viktima arriti të depërtonte në pistë dhe nisi të vraponte në drejtim të avionit Airbus A319, i cili po përgatitej të nisej për në Asturias të Spanjës. Gjatë lëvizjes së avionit, burri u thith nga motori i ndezur dhe humbi jetën në vend.

Për momentin nuk është konfirmuar ende nëse ai ishte pasagjer, punonjës aeroporti apo një person i jashtëm. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe mënyrën se si ai arriti të hyjë në një zonë të ndaluar.

Pas incidentit, aeroporti u mbyll për afro një orë, duke shkaktuar devijimin e disa fluturimeve drejt aeroporteve të tjerë në veri të Italisë. Kompania Volotea konfirmoi se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi i avionit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka ofruar mbështetje për ta.

Hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit