Bektashinjtë përkujtojnë tragjedinë e Qerbelasë, kremtohet dita e “Ashures”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 08.07.2025, 12:18

Dita e Ashures, e cila përkon me 8 Korrikun këtë vit, është një ditë me rëndësi të veçantë për besimtarët myslimanë, sidomos për ata të besimit bektashi në Shqipëri. Kjo ditë përkujton ngjarjen tragjike të Qerbelasë, ku u martirizua Imam Hysejni, nipi i Profetit Muhammed, i biri i Fatimes dhe Aliut së bashku me familjarë e ndjekës të tij. Ashura simbolizon sakrificën, drejtësinë dhe qëndresën ndaj padrejtësisë dhe ka një domethënie të thellë shpirtërore për të gjithë ata që e kremtojnë.

Sipas kalendarit të bektashinjve, kjo ditë kremtohet pas 10 ditëve të zisë ose Matemit për Imam Hysejnin dhe 72 dëshmorët që dhanë jetën për liri në luftën e Qerbelasë, për demokratizimin e jetës dhe emancipimin e shoqërisë. Në Shqipëri, dita e Ashures është e njohur sidomos për gatimin e ëmbëlsirës tradicionale të quajtur "ashure", një lloj pudingu i bërë me grurë, sheqer, fruta të thata dhe erëza. Përgatitja e ashures shoqërohet me një frymë solidariteti, pasi ajo ndahet me fqinjë, të afërm dhe të varfër, pa dallim feje apo përkatësie.

Ashura përfaqëson mesazhin e sakrificës dhe drejtësisë që la pas Imam Hysejni, por e shpreh në një formë simbolike dhe paqësore: ndarja e ushqimit me të tjerët, pa dallim feje apo kombësie, në nder të një kauze të lartë morale. Fjala "Ashure" vjen nga arabishtja që do të thotë "dita e dhjetë" e muajit Muharrem në kalendarin hixhri. Pikërisht në këtë ditë ndodhi beteja e Qerbelasë. Kështu që edhe emri i ditës dhe ëmbëlsira marrin këtë emërtim nga data, ndërsa përmbajtja shpirtërore është lidhur me Imam Hysejnin.

Lidhja mes Profetit Muhamed dhe Imam Hysejnit ishte shumë më tepër se familjare ishte shpirtërore dhe e thellë në kuptimin hyjnor. Profeti e donte Hysejnin si dritën e syve dhe shpesh thoshte: "Hysejni është nga unë dhe unë jam nga Hysejni." Kjo shprehje tregon se misioni dhe sakrifica e Hysejnit ishte vazhdim i rrugës së Profetit për drejtësi, besim dhe dinjitet njerëzor. Hysejni u bë simbol i së vërtetës, dhe përmes tij, trashëgimia morale e Profetit u mbajt gjallë.

Profeti e cilësoi Hysejnin si pjesë të vetvetes dhe shpeshherë e mbante në krahë, e lutej për të dhe e bekonte publikisht. Në betejën e Qerbelasë, Hysejni nuk kundërshtoi Profetin, por qëndroi pikërisht në mbrojtje të parimeve profetike: drejtësia, e vërteta dhe dinjiteti njerëzor. Ai refuzoi t’i nënshtrohej kalifatit tiranik të Jezidit, i cili kishte devijuar nga mësimet e Islamit të pastër që kishte sjellë Profeti. Kështu që, Hysejni ishte pasues besnik i rrugës së Profetit, jo kundërshtar i tij ai ishte dëshmori që mbrojti frymën e vërtetë të Islamit.

Kjo traditë nxit ndjenjën e paqes, dashurisë dhe bashkëjetesës mes njerëzve, duke pasqyruar vlerat e përbashkëta njerëzore. Në teqetë bektashiane, Ashura shoqërohet edhe me ceremoni fetare, lutje dhe përkujtim të Imam Hysejnit, ku përmendet jeta dhe sakrifica e tij për të vërtetën dhe lirinë. Kjo ditë shërben si një reflektim për besimtarët për të ruajtur virtytet morale, për të qenë më të ndershëm, më të dhembshur dhe më të afërt me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Ashura nuk është vetëm një festë fetare, por një thirrje për njerëzinë drejt drejtësisë, dashurisë dhe unitetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit