Vendimi në pritje për lirinë me kusht të Ervin Salianjit sot në Fier

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 08.07.2025, 11:31

Gjykata e Fierit vendos sot për kërkesën e ish-deputetit Ervin Salianji, që kërkon të lirohet me kusht pasi ka përmbushur dy të tretat e dënimit të tij politik

Në orën 11:00 të paradites së sotme, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier filloi shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Seanca ka interes të madh publik, pasi mund të shënojë lirimin e tij nga burgu pas nëntë muajsh qëndrimi në qeli.

Raporti i Shërbimit të Provës pritet të paraqitet gjatë seancës dhe do të luajë një rol kyç në vendimin përfundimtar. Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtari Noel Veizi dhe prokurori Genci Mane. Pikërisht ky raport do të peshojë rëndë në vendimin për pranimin ose jo të kërkesës së Salianjit.

Në seancën e mëparshme, sipas mbrojtjes, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale kishte dhënë një vlerësim pozitiv për sjelljen dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme për lirim. Avokati mbrojtës Ledio Brahio theksoi se të gjitha kriteret ligjore janë përmbushur.

Salianji është dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë në çështjen “Babale”, që lidhet me një denoncim të bujshëm ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ai është arrestuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 26 shtator 2024, i cili la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Vetë Salianji vazhdon të mbajë qëndrimin se ndodhet në burg për arsye politike. Ai pretendon se procesi kundër tij ishte i fabrikuar dhe se gjyqësori është përdorur si mjet për ta ndëshkuar politikisht për aktivitetin e tij opozitar.

Me përmbushjen e dy të tretave të dënimit, Salianji ka të drejtë ligjore të kërkojë lirim me kusht. Vendimi i sotëm do të përcaktojë nëse ai do të fitojë lirinë apo do të vazhdojë të qëndrojë në qeli deri në fund të afatit të dënimit.

Për opozitën, ky rast konsiderohet një simbol i asaj që e cilësojnë “kapje të drejtësisë” dhe ndjekje të kundërshtarëve politikë. Nëse liria e Salianjit do të miratohet sot, kjo mund të shkaktojë një valë reagimesh në arenën politike shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit