Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në tryezën e diskutimit për nxitjen e kreditimit në sektorin bujqësor, ka bërë autokritikë duke deklaruar se niveli i kreditimit për këtë sektor është i ulët dhe se duhet korrigjuar.
“Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të kredisë totale,” deklaroi Sejko, ndërsa theksoi se nivelet aktuale të kreditimit për bujqësinë mbeten të ulëta.
“Kjo është një mangësi, e cila duhet korrektuar një orë e më parë, nëse synojmë të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë shqiptare”, tha ai.
Ai theksoi se Banka e Shqipërisë ka vendosur në qendër të Programit të saj të Financimit të biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, pikërisht rritjen e kredisë për bujqësinë, duke ofruar një platformë të sigurt fondesh me kosto të ulët.
“Banka e Shqipërisë vendosi në fokus të Programit të saj të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël e të Mesëm, rritjen e kredisë për sektorin bujqësor. Ky program, pjesë e së cilit janë bërë të gjithë aktorët e sektorit bankar, ju ofron ju një bazë të sigurt e të qëndrueshme fondesh, me kosto të ulët, për kreditimin e projekteve të zhvillimit të sektorit bujqësor, duke përshirë edhe agroturizmin dhe industrinë agroushqimore”, tha ai.
Sejko u ka bërë thirrje përfaqësuesve të sistemit bankar që të rishikojnë qëndrimin ndaj bujqësisë, jo vetëm si një mundësi ekonomike, por edhe si një detyrim shoqëror.
“Si aktorë të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendit, mbështetja e sektorit bujqësor duhet të shihet edhe si detyrim moral ndaj Shqipërisë, vendi në të cilin zhvilloni me siguri dhe rentabilitet biznesin tuaj. Përkrahja e industrisë së zinxhirit ushqimor mbetet një faktor me rëndësi të vërtetë jetike për një vend dhe popullsinë e tij”, u shpreh Sejko.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të sistemit bankar, Guvernatori tha më tej se Banka e Shqipërisë nuk do të marrë masa që mund të cenojnë qëndrueshmërinë e bilanceve te tyre financiare apo që bien ndesh me interesat e stabilitetit financiar të vendit në afatin e gjatë.