Qeveria penalizon vetëprodhuesit e energjisë: energjia blihet më lirë, por shitet më shtrenjtë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 08.07.2025, 10:24

Familjet që prodhojnë energji për vete me panele diellore do të paguajnë tarifat e rrjetit dhe disbalancat, shteti e blen më lirë dhe ua shet më shtrenjtë.

Një draftligj i ri i përgatitur nga Ministria e Energjisë synon të ndryshojë rregullat e shkëmbimit të energjisë elektrike mes qytetarëve dhe shtetit. Në qendër të këtij ligji qëndron synimi për të vendosur tarifa të reja për familjet që prodhojnë energji me panele fotovoltaike, duke i detyruar ato të paguajnë për përdorimin e rrjetit si dhe për disbalancat që krijojnë në sistemin energjetik.

Sipas përmbajtjes së draftit, të gjithë klientët aktivë – pra ata që vetëprodhimin e energjisë e kombinojnë me shkëmbimin në rrjet – do të jenë të detyruar të paguajnë dy lloj tarifash: për energjinë që futin në rrjet dhe për energjinë që marrin prej tij. Përveç këtyre tarifave, ata do të mbajnë mbi supe edhe kostot financiare të disbalancave që, sipas shtetit, ndikojnë në stabilitetin e sistemit elektrik.

Aktualisht, skema e vetëprodhimit funksionon mbi një marrëveshje të ndershme. Nëse një familje i jep rrjetit 100 kilovat energji gjatë ditës, mund të marrë po aq në orët e mbrëmjes, kur nuk ka prodhim. Kjo llogaritje bëhet me koeficient 1 dhe nuk përfshin ndonjë pagesë shtesë.

Por qeveria po planifikon ta zëvendësojë këtë sistem me një skemë të re ku energjia e dhënë nga konsumatori do të blihet me një çmim më të ulët sesa energjia që ai do të blejë nga rrjeti. Diferenca në çmim, sipas burimeve nga Ministria, do të përcaktohet nga Enti Rregullator dhe do të shërbejë për të mbuluar kostot e rrjetit dhe disbalancat teknike.

Kjo do të thotë se një kilovat i prodhuar nga panelet fotovoltaike në një çati familjare do të vlejë më pak për shtetin, ndërkohë që po ajo familje do të detyrohet ta blejë më shtrenjtë kur të ketë nevojë. Në thelb, shteti synon të blejë lirë dhe të shesë shtrenjtë, duke goditur interesin e vetë qytetarit.

Burimi: Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës/Kapital

Edhe pse autoritetet këmbëngulin se skema do të mbetet "inkurajuese", të dhënat dhe logjika ekonomike tregojnë të kundërtën. Një model i tillë jo vetëm që ul leverdinë për të investuar në panele diellore, por edhe vendos një barrë të re financiare për familjet që kërkojnë të prodhojnë dhe konsumojnë energjinë në mënyrë të pavarur.

Ky ndryshim duket se ndjek një tendencë të qartë abuzive: shteti, në vend që të mbështesë prodhimin e qëndrueshëm dhe pavarësinë energjetike të qytetarëve, po përpiqet të maksimizojë të ardhurat përmes tarifave dhe çmimeve të paarsyeshme, duke cenuar një nga të paktat mundësi të kursimit për konsumatorin shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit