Koncesioni 60 milionë euro në Triportin e Vlorës përfundon në duart e një pensionisti nga Berati, ndërsa shteti hesht për zhveshjen totale të projektit nga parimet e ligjshmërisë.
Në gusht të vitit 2021, pas dhurimit për 1 euro të portit ekzistues të Vlorës tek kompania Brunes për ndërtimin e një resorti luksoz, qeveria shqiptare shpalli tenderin për një port të ri tregtar në zonën e Triportit. Zona në fjalë do të shërbente si nyje për mallra dhe pasagjerë, në vend të portit të peshkimit.
Projekti synonte ndërtimin e portit me financim privat, ndërsa qeveria do të shlyente kompaninë ndërtuese përmes kësteve për një periudhë shtatëvjeçare. Tre kompani morën pjesë në tenderin e 17 shtatorit, dhe fitues doli një bashkim prej pesë subjektesh: Agbes Construction (33%), Besta (30%), Arconstudio (25%), ITE Group (8%) dhe Premium Construction & Maintenance (5%).
Sipas marrëveshjes, bashkimi i kompanive do të ndërtonte portin për 59 milionë euro dhe do të shlyhej nga qeveria shqiptare pas përfundimit të punimeve, brenda një afati 36-mujor. Por pas nënshkrimit të kontratës në prill 2022, projektit filluan t’i bien pjesët njëra pas tjetrës.
Vetëm një muaj pas marrëveshjes, pesë kompanitë themeluan një shoqëri të përbashkët me qëllim të veçantë, “Vlora Harbor Construction and Maintenance”. Kjo shoqëri do të menaxhonte koncesionin, por brenda katër muajve nisi kalvari i zhveshjes totale të projektit nga kontrolli fillestar.
Më 28 shtator 2022, Agbes Construction shiti kuotat e saj për vetëm 100 mijë euro tek Premium Construction & Maintenance. Një muaj më pas, edhe Arconstudio dorëzoi pjesën e saj për vetëm 2 500 euro. Pas pak ditësh, Besta i dha 30 për qind të aksioneve të saj të njëjtës kompani për 3 mijë euro.
Në fund të këtij zinxhiri shitjesh qesharake, Premium Construction & Maintenance u bë pronare e 92 për qind të projektit me një çmim total prej vetëm 105 500 euro. Pjesa tjetër i mbeti ITE Group me 8 për qind.
Për më tepër, Premium Construction & Maintenance ishte një kompani fantazmë, themeluar vetëm dy muaj para tenderit me kapital vetëm 10 mijë lekë. Pronari i saj? Hektor Agalliu, një pensionist nga Tërpani i Beratit, më parë magazinier pranë firmës “Salillari”. Një figurë që përbën simbolin grotesk të një skeme me bazë abuzimi dhe tallje ndaj çdo logjike administrative.

Agalliu u pa befas si “përfitues” i një koncesioni 60 milionë eurosh, megjithëse nuk përmbushte asnjë kriter teknik, financiar apo ligjor për të marrë pjesë në një projekt të tillë. Me gjithë propagandën qeveritare për rritjen e pensioneve, Shqipëria nuk është ende në fazën ku pensionistët ndërtojnë porte.
Pas kësaj skeme, Premium Construction & Maintenance e vendosi koncesionin peng pranë një banke private për një kredi 7 milionë euro. Porti, ndërkohë, mbetet në letër, ndërsa porti ekzistues në Vlorë po shembet për të ndërtuar kulla dhe marina luksoze.
Kjo është vetëm një tjetër dëshmi se si koncesionet në Shqipëri nuk funksionojnë si partneritet publike, por si skema abuzive, ku qëllimi është të shpenzohet sa më pak përmes korrupsionit dhe manovrave mafioze. Projektet që duhet të ndërtojnë të ardhmen, shiten për qindarka dhe kalojnë nga duart e oligarkëve tek pensionistë periferikë që nuk kanë as lidhje, as përgjegjësi.
Institucionet e drejtësisë ndërkohë qëndrojnë në heshtje. Askush nuk ka hetuar mënyrën sesi u transferuan aksionet për çmime qesharake apo si u lejua një kompani pa kapacitete të marë një kontratë publike në emër të shtetit.
Triporti, në vend të një nyje moderne për tregtinë detare, është shndërruar në një simbol të dështimit institucional. Ai përfaqëson shembullin tipik të zhveshjes së koncesioneve nga çdo parim ligjor, teknik apo etik. Një histori e re abuzimi, si shumë të tjera në Shqipërinë e sotme.