Shqipëria me tregun më të shtrenjtë të banesave në Europë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.07.2025, 09:52

Shqiptarëve u duhen mesatarisht 16.3 vite punë për të blerë një apartament mesatar prej 90 m², duke e renditur vendin tonë të fundit në Europë për përballueshmërinë e strehimit.

Të dhënat vijnë nga platforma ndërkombëtare Numbeo, e cila mat raportin midis çmimeve të banesave dhe të ardhurave neto familjare. Ky tregues tregon sa vite i duhet një familjeje për të blerë një shtëpi nëse do të kursente 100% të të ardhurave.

Në janar 2024, ky tregues për Shqipërinë ishte 13.8 vite. Në vetëm 18 muaj, është rritur me gati 3 vite pune, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të apartamenteve.

Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri për vitin 2024 ishte 77,500 lekë, ose rreth 770 euro. Ndërkohë, çmimet e apartamenteve në qytetet kryesore janë rritur me ritme që tejkalojnë çdo normë të qëndrueshme.

Në Tiranë, çmimet në zonat periferike (Paskuqan, Shkozë) variojnë nga 900 deri në 1,400 euro/m². Brenda Unazës së Vogël, çmimet fillojnë nga 2,000 euro/m², ndërsa në qendër apo te Liqeni Artificial arrijnë deri në 5,000 euro/m².

Në qytetet bregdetare si Vlora, Durrësi dhe Saranda, çmimet variojnë nga 1,800 deri në 2,800 euro/m², në varësi të pamjes, cilësisë së ndërtimit dhe afërsisë me detin.

Banka e Shqipërisë konfirmon tendencën alarmante. Indeksi Fischer, i përdorur nga kjo bankë, tregon se çmimet e banesave u rritën me 23.6% vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, dhe me 44.5% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje nuk shoqërohet me rritje proporcionale të pagave, çka e bën të pamundur për shumicën e qytetarëve blerjen e një banese pa kredi afatgjatë ose ndihmë nga jashtë.

Ndërsa Shqipëria përballet me rritje çmimesh dhe paga të ulëta, vendet e rajonit ofrojnë paga më të larta dhe treg më të përballueshëm për banesat: Serbi – paga mesatare: 1,150 euro, Bosnjë-Hercegovinë – 1,100 euro, Mali i Zi – 1,083 euro dhe Maqedonia e Veriut – 1,020 euro.

Indeksi i përballueshmërisë së banesave është një nga faktorët që ndikojnë në Indeksin e Cilësisë së Jetës. Shqipëria renditet e fundit në Europë edhe në këtë indeks, për shkak të çmimeve të larta të banesave, pagave të ulëta, kujdesit të dobët shëndetësor dhe mungesës së infrastrukturës urbane. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nuk ndërhyhet me politika të qarta për subvencionimin e strehimit dhe kontrollin e tregut të pasurive të paluajtshme, brezat e rinj do ta kenë gjithnjë e më të pamundur të blejnë një banesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit