Shkurtohen fondet për mjekët, infermierët dhe universitetet, teksa projektet rrugore përfitojnë miliona të tjera nga buxheti i vitit
Ndryshimet e miratuara së fundmi në buxhetin e vitit 2025 kanë sjellë një zhvendosje të dukshme të prioriteteve financiare të qeverisë, me fokus te infrastruktura dhe me pasoja të drejtpërdrejta në shërbimet bazë si arsimi dhe shëndetësia. Vendimi i qeverisë për të rritur fondet për rrugët dhe furnizimin me ujë, ndërsa ul financimet për kujdesin shëndetësor dhe arsimin universitar, ngre alarmin për degradimin e kapitalit njerëzor.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është ndër përfitueset më të mëdha të rishikimit buxhetor, me një rritje prej 2.85 miliardë lekësh, duke arritur në 76.88 miliardë lekë. Vetëm transporti rrugor ka marrë një shtesë prej 2 miliardë lekësh, çka dëshmon se projektet e betonit vijojnë të kenë përparësi absolute ndaj shërbimeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka pësuar një shkurtim me rreth 1 miliard lekë, ose -1.3% krahasuar me planin fillestar. Goditja më e rëndë ka ardhur për kujdesin parësor shëndetësor, i cili ka pësuar një shkurtim dramatik prej 1.3 miliardë lekësh, që përbën një ulje prej 19.3%. Kjo situatë rrezikon të zbehë edhe më tej qasjen e qytetarëve ndaj mjekësisë bazë dhe shërbimeve ambulatore.
Ulja e fondeve për kujdesin parësor përbën një sinjal të rrezikshëm për të ardhmen e shëndetësisë në vend. Pa diagnostikime të hershme, pa qendra të mirëfunksionuara shëndetësore dhe pa mbështetje për mjekët e familjes, sistemi rrezikon të shembet mbi bazat e veta. Këto shkurtime pritet të ndikojnë direkt në largimin e mëtejshëm të infermierëve dhe mjekëve, të cilët po kërkojnë siguri dhe kushte më të mira pune jashtë vendit.
Në të njëjtën linjë me shëndetësinë, edhe arsimi ka pësuar pasoja të rënda. Buxheti për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është ulur me 100 milionë lekë, ndërkohë që arsimi universitar ka humbur 300 milionë lekë, një ulje me -2%. Kjo është një goditje tjetër për brezat e rinj që kërkojnë cilësi më të lartë të dijes dhe investim në të ardhmen e tyre akademike.
Edhe pse fondet për kërkimin shkencor janë rritur me 100 milionë lekë, kjo rritje mbetet simbolike krahasuar me shkurtime të tjera. Një vend që nuk investon seriozisht në arsimin e lartë dhe në shkencë, vështirë se mund të konkurrojë në një treg global që kërkon dije, inovacion dhe teknologji.
Shërbimet e Shëndetit Publik kanë pësuar gjithashtu një ulje të ndjeshme me 334 milionë lekë më pak, që përkthehet në -6.7%. Kjo mund të paralajmërojë ndërprerje në fushatat e vaksinimit, reduktim të kontrolleve të sëmundjeve infektive dhe dobësim të mbikëqyrjes epidemiologjike, në një kohë kur rreziku nga viruset mbetet real.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo qasje financiare vijon, vendi do përballet me krizë të thelluar në shëndetësi dhe arsim. Mungesa e investimeve të qëndrueshme në këto sektorë mund të përshpejtojë largimin e profesionistëve të shëndetit dhe mësuesve, duke e zbrazur më tej sistemin publik nga kompetencat që e mbajnë funksional.
Në mungesë të reformave që nxisin qëndrimin e stafit mjekësor dhe pedagogjik në Shqipëri, vendi rrezikon të përjetojë ditë të errëta. Efekti afatgjatë mund të jetë një shoqëri më pak e shëndetshme dhe më pak e ditur, me pasoja të rënda edhe për zhvillimin ekonomik.
Nëse nuk rivendosen balancat në buxhetin publik, kostoja për qytetarët do të jetë shumë më e madhe se çdo kilometër rrugë e re. Prioriteti duhet të jetë njeriu, jo vetëm betoni.