Copa betoni të rrezikshme qëndrojnë prej një viti në rrugë, ndërsa Bashkia Kamëz hesht dhe nuk ndërhyn aspak.
Banorët e zonës së Grykës së Kaçanikut në Kamëz denoncojnë prej më shumë se një viti praninë e copave të mëdha betoni në rrugën kryesore, që përbëjnë një rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve. Pavarësisht se situata është raportuar dhjetëra herë, institucionet vendore kanë zgjedhur të qëndrojnë në heshtje.
Sipas qytetarëve, këto blloqe betoni janë bërë pjesë e përditshmërisë në trafik. Rreziku që paraqesin nuk është vetëm për mjetet që mund të dëmtohen në mënyrë të papritur, por edhe për jetën e kalimtarëve dhe drejtuesve të makinave që lëvizin me shpejtësi të zakonshme. Ata theksojnë se dëmet ekonomike bien gjithmonë mbi qytetarët, ndërsa bashkia “zhduket” si gjatë verës.
Denoncuesit shprehen se kanë njoftuar dhjetëra herë autoritetet për situatën, madje edhe me prova fotografike dhe video. Por pavarësisht njoftimeve, askush nuk ka marrë mundimin të pastrojë rrugën apo të paralajmërojë rrezikun.
"Tani edhe ne duam të lëvizim lirisht, pa menduar se mund të ndeshim ndonjërën nga këto copa betoni në parakolp, ose në rastin më të keq poshtë makinës, dhe dëmi pastaj na bie neve në xhep. Bashkia Kamëz ndoshta është me pushime, sepse këto copa betoni janë në rrugë prej një viti. Qindra herë i kanë parë dhe janë njoftuar, por nuk do t’ia dijë askush. Është po e njëjta rrugë, Gryka e Kaçanikut, Kamëz. Ju faleminderit juve."
Rruga mbetet po ajo, e rrezikshme, e papastruar dhe e neglizhuar nga të gjitha institucionet përkatëse. Banorët ndihen të harruar dhe të lënë në mëshirë të fatit, ndërkohë që çdo ditë kalimi aty është një sfidë.
Në vend që të përballen me siguri dhe infrastrukturë normale, qytetarët e Kamzës duhet të manovrojnë për të shmangur copa betoni në mes të rrugës. Dhe për çdo dëmtim që u ndodh makinës, përgjegjësia u mbetet vetëm atyre.
Përballë kësaj papërgjegjshmërie, qytetarët u bëjnë thirrje institucioneve që të reagojnë pa vonesë dhe të kryejnë detyrën për të garantuar sigurinë publike.