Panik në qytetin francez, tufa e bletëve sulmon dhjetëra kalimtarë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.07.2025, 20:03

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin Aurillac në Francë, ku dhjetëra kalimtarë janë sulmuar papritur nga një tufë bletësh, duke shkaktuar panik dhe lëndime të shumta.

Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes dhe zgjati rreth 30 minuta. Gjatë kësaj kohe, 24 persona u pickuan, ndërsa tre prej tyre u raportuan në gjendje kritike, përfshirë një 78-vjeçar që pësoi arrest kardiak dhe u desh të reanimohej në vendngjarje. Fatmirësisht, gjendja e tyre është përmirësuar gjatë orëve të fundit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore ndihmuan të lënduarit në vendin e ngjarjes, ndërkohë që policia vendosi një perimetër sigurie derisa bletët ndaluan sulmin.

Kryebashkiaku i qytetit, Pierre Mathonier, tha për mediat se shkaku i sulmit mund të ketë qenë një konflikt midis bletëve dhe grerëzave aziatike, të cilat ndoshta kishin kërcënuar kosheren e vendosur në tarracën e një hoteli që prej më shumë se 10 vitesh. Ai shtoi se bletari e ka hequr tashmë kosheren dhe e ka zhvendosur jashtë qytetit.

Ndërsa për komandantin e shërbimit zjarrfikës lokal, incidenti ishte një nga më të çuditshmit që kishte përjetuar ndonjëherë. “Për nga numri i të lënduarve, paniku dhe ashpërsia e disa dëmtimeve, ishte vërtet i padëgjuar më parë,” u shpreh ai për televizionin francez TF1.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit