Një valë teorish të reja sugjeron se kërpudhat mund të kenë aftësi për të mësuar, mbajtur mend dhe vendosur, edhe pa tru apo sistem nervor.
Në vështrim të parë, kërpudhat mund të duken si thjesht bimë të çuditshme të pyllit. Por shkenca po zbulon se ato janë shumë më tepër se sa kaq. Studiuesit po eksplorojnë mundësinë që këto organizma të kenë inteligjencë – madje edhe vetëdije – një pretendim që po ngjall debat të gjallë në botën shkencore.
Tradicionalisht, diskutimet mbi vetëdijen janë kufizuar te kafshët që kanë tru, si peshqit apo lakuriqët e natës. Por tani, vëmendja po zhvendoset te qeniet pa sistem nervor – përfshirë kërpudhat, bimët dhe mykun. Disa ekspertë mendojnë se kërpudhat mund të shfaqin sjellje që përngjajnë me mendimin inteligjent.
Dr. Cecelia Stokes nga Universiteti i Wisconsin-Madison thotë se kërpudhat janë jashtëzakonisht të afta për të reaguar ndaj ndryshimeve të vogla në mjedis, pa pasur nevojë për tru apo sistem nervor. Ato përhapen në tokë përmes rrjeteve të hifave, duke ndjekur burimet e ushqimit dhe partnerët për riprodhim.
Hulumtimet e fundit nga Dr. Yu Fukasawa në Universitetin Tohoku të Japonisë tregojnë se disa lloje kërpudhash, si Phanerochaete velutina, tregojnë aftësi për të “vendosur” mes opsioneve të ndryshme, për të “kujtuar” drejtimin ku ndodhej ushqimi dhe për të “kuptuar” forma si rrethi apo kryqi përmes modeleve të rritjes së tyre.
Sipas Fukasawa, kjo tregon një formë memorieje strukturore të vendosur në sistemin mycelial – një lloj kujtese pa tru, që bazohet në rritjen e mëparshme dhe përvojën në ambient. Kjo është e krahasueshme me sjelljet e mykut rrëshqitës, i cili shmang zonat e vizituara më parë.
Në një eksperiment të vitit të kaluar, kërpudhat u vendosën në modele të ndryshme dhe reaguan ndryshe në varësi të formës. Kjo u interpretua si aftësi për njohje të formave, një veçori që shfaqet te njerëzit dhe kompjuterët përmes analizës së modeleve.
Disa shkencëtarë si Dr. Nicholas Money kanë shkuar më tej duke propozuar konceptin e një “mendjeje kërpudhore”, që sugjeron se vetëdija mund të ekzistojë në një spektër të gjerë përtej njerëzve. Në këtë këndvështrim, edhe kërpudhat mund të kenë një version primitiv të vetëdijes.
Ndërkohë, studiuesit kanë zbuluar se kërpudhat gjenerojnë sinjale elektrike të krahasueshme me ato të qelizave nervore. Por ekspertët paralajmërojnë që kjo nuk do të thotë se ato kanë sistem nervor – të gjitha qelizat prodhojnë elektricitet përmes lëvizjes së joneve.
Shkenca e kërpudhave është gjithnjë në zhvillim, dhe ndonëse teoritë për vetëdije kërpudhore janë ende të diskutueshme, ato nxisin pyetje të rëndësishme për mënyrën si e përkufizojmë inteligjencën. “Fakti që kërpudhat mund të zgjidhin probleme është një mrekulli më vete,” thotë Fukasawa. Dhe për shumë shkencëtarë, kjo mjafton për të treguar se jemi përballë një forme tjetër të jetës inteligjente – ndryshe, por jo më pak e rëndësishme.