Në katin e katërt të pediatrisë në Durrës nuk funksionojnë kondicionerët dhe fëmijët rrezikojnë jetën nga vapa ekstreme
Një qytetar i shqetësuar ka denoncuar përmes JOQ gjendjen e rëndë në pavijonin e pediatrisë në Durrës, ku qëndron i shtruar djali i tij prej një jave. Në katin e katërt të godinës, kondicionerët janë jashtë funksionit dhe temperatura e lartë e ambientit po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin e të vegjëlve.
Qytetari rrëfen se fëmija i tij është alergjik dhe situata është përkeqësuar për shkak të pamundësisë për të hapur dritaret, pasi aty ka mushkonja të shumta. Në vend që të kurohen, fëmijët dhe prindërit ndihen të mbytur nga vapa dhe mungesa e ajrit të pastër.
Denoncimi ngre alarmin për një problem që, sipas tij, kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet shëndetësore dhe lokale. Ai apelon që shteti të ndërhyjë urgjentisht për të rregulluar sistemin e ajrit të kondicionuar, duke theksuar se pavijonet e spitaleve nuk janë vend për vuajtje shtesë në vend të trajtimit mjekësor.
“Përshëndetje JOQ, kam 1 javë që kam shtruar djalin te pediatria në Durrës, në kat të 4-t. Nuk punojnë kondicionerët. Nuk kemi ardhur për t’u shëruar, por për të vdekur nga vapa. Dritaret nuk i hapim dot se ka mushkonja. Djalin e kam alergjik. Të lutem, publikoje se ndoshta zgjohet shteti nga gjumi dhe të vijnë t’i rregullojnë. Po na zihet fryma nga vapa... Turp.”
Ai shton se durimi i prindërve dhe i fëmijëve është vënë në provë çdo ditë, ndërkohë që autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë për përmirësimin e kushteve.