Problemet e qytetarëve me aftësi të kufizuara në Yzberisht, mungon hapësira në trotuare për të lëvizur

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 07.07.2025, 19:08

Një qytetar me aftësi të kufizuara nuk mund të lëvizë me karrocë për shkak të trotuareve të zëna në zonën e Yzberishtit

Një qytetar i Tiranës ka zgjedhur të denoncojë një situatë shqetësuese përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë e JOQ Albania. Ai jeton me aftësi të kufizuara dhe e ka të pamundur të ecë, ndaj lëviz me ndihmën e një karroce.

Por në vend që qyteti të jetë i përshtatur për nevojat e tij, ai përballet çdo ditë me pengesa që e bëjnë lëvizjen e pamundur. Në mesazhin e tij, qytetari ka përshkruar kushtet në lagjen Yzberisht, ku trotuaret janë të bllokuara plotësisht.

“Përshëndetje JOQ, unë që po të shkruaj jam një person me aftësi të kufizuara, më saktësisht lëviz me karrocë sepse nuk mundem të eci. Shikojeni se si është situata në Yzberisht, trotuaret të bllokuara komplet, nuk mundem të lëviz lirshëm. Anonim, të lutem.”

Ai thekson se për shkak të këtyre pengesave, liria e tij për të lëvizur është shndërruar në një sfidë të përditshme. Trotuaret janë zënë nga makina, struktura të përkohshme apo mbeturina, duke e bërë të pamundur kalimin për një person që lëviz me karrocë.

Apeli i tij është i qartë dhe prekës: institucionet vendore të ndërhyjnë dhe të sigurojnë që hapësirat publike të jenë të aksesueshme për të gjithë, veçanërisht për ata që përballen me kufizime fizike.

Në fund të mesazhit të tij, qytetari kërkon që identiteti i tij të mbetet anonim, por thirrja që ngre është më se publike: Tirana nuk mund të jetë një qytet për disa, por duhet të jetë për të gjithë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit