Një nga destinacionet më të bukura turistike në veri të Shqipërisë, Thethi, po përballet me një problem shqetësues, grumbullimin masiv të mbeturinave nëpër rrugë dhe natyrë. Vizitorët dhe banorët janë të shqetësuar nga prania e plehrave, të cilat jo vetëm që dëmtojnë imazhin e zonës, por edhe paraqesin rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.
“JOQ përshëndetje! Shikoni pak plehrat ne Theth”, shkruan qytetari.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm gjatë sezonit turistik, kur numri i vizitorëve shtohet, por menaxhimi i mbetjeve mbetet i njëjtë, thuajse inekzistent. Kosha të mbushur, mbeturina të hedhura në mënyrë të pakontrolluar dhe mungesë e pastrimeve të rregullta janë bërë tashmë një pamje e zakonshme në fshat. Mungesa e infrastrukturës bazë për menaxhimin e mbetjeve tregon për një neglizhencë të theksuar nga autoritetet vendore.
Bashkia Shkodër, e cila ka përgjegjësinë për menaxhimin e zonës, nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për të përmirësuar situatën. Pavarësisht ankesave të shumta nga qytetarët dhe turistët, reagimi i institucioneve ka munguar plotësisht. Thethi, një nga pasuritë natyrore më të çmuara të vendit, rrezikon të humbasë vlerën e tij për shkak të një papërgjegjshmërie të vazhdueshme.