Mëngjesin e 7 korrikut, në ditën e tetë të protestave në Serbi, qytetarë dhe studentë bllokuan mbi dhjetë rrugë kryesore në Beograd, përfshirë zona të rëndësishme në Beogradin e Ri. Këto veprime u ndërmorën me thirrjen e studentëve për “mosbindje civile”, që nisi më 28 qershor. Policia reagoi duke ndërhyrë në disa vende për të penguar bllokimin e rrugëve, si dhe duke kërkuar dokumente identifikimi nga protestuesit.
Protestat po organizohen nga grupi “Studentët në bllokadë”, të cilët kanë qenë aktivë që nga fundi i vitit të kaluar. Shkak për nisjen e tyre ishte tragjedia në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku më 1 nëntor humbën jetën 16 persona nga shembja e një ndërtese betoni. Studentët kërkojnë transparencë për rindërtimin e stacionit dhe drejtësi për viktimat.
Përveç kësaj, ata kërkojnë ndalimin e ndjekjeve penale ndaj aktivistëve, lirimin e të arrestuarve gjatë protestave, ndëshkimin e atyre që kanë përdorur dhunë ndaj protestuesve, si dhe rritje të buxhetit për arsimin e lartë. Në muajt e fundit, ata i kanë shtuar edhe një kërkesë të re: mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për të mundësuar ndryshim qeveritar dhe përmbushje të kërkesave të tyre.
Ndërkohë, një grup tjetër studentësh, që kundërshtojnë protestat dhe kërkojnë rikthimin në mësim, janë vendosur përpara Presidencës së Serbisë që nga marsi. Ata kanë marrë mbështetje nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili i ka vizituar disa herë. Në kontrast, protestuesit janë përballur me ndërhyrje policore dhe përplasje me forcat e rendit.