Banorët e një pallati në Njësinë 11 akuzojnë një biznes privat për uzurpim të trotuarit dhe bllokim të paligjshëm të parkimit publik
Një situatë konfliktuale po zhvillohet pranë pallatit "Classic AM", pas karburantit "Dhima", në rrugën Allman Dervishi të Njësisë Bashkiake nr. 11 në Tiranë. Banorët e kësaj ndërtese denoncojnë një rast flagrant të zaptimit të hapësirave publike nga një subjekt privat, i cili ka kthyer trotuarin e përbashkët në parking personal për biznesin e tij.
Sipas denoncuesve, ky qytetar ka vendosur në mënyrë të paligjshme tabela me shkrimin "parking privat", bllokues automjetesh dhe madje ka edhe një roje për të ruajtur vendin. Këto masa kanë shkaktuar përplasje të përditshme mes banorëve dhe përfaqësuesve të biznesit, të cilët refuzojnë të lirojnë hapësirën publike. Situata është përkeqësuar deri në thirrjen e Policisë Bashkiake, e cila – sipas banorëve – thjesht konstaton shkeljet, por largohet pa marrë asnjë masë konkrete.
Banorët ndihen të braktisur nga institucionet. Ata denoncojnë një klimë mosveprimi dhe indiference, ku ligji nuk zbatohet, ndërsa individë me lidhje të forta mbrohen dhe veprojnë pa pasur pasoja. "Ky del e na thotë në sy: ‘Kam miq, s’më bëni dot gjë’", shprehet denoncuesi.
“Përshëndetje JOQ, Jam një banor që jetoj te pallati Classic AM, prapa karburant Dhima këtu te njësia bashkiake 11, rruga Allman Dervishi. Kemi një problem të gjithë banorët e pallatit me një zotëri që ka zaptuar pjesën e përbashkët të trotuarit ku ne parkojmë dhe e mban parking për biznesin e vet. Siç e shikoni te video, ka vendosur edhe bllokues, tabelë ku shkruan “parking privat”, por edhe roje që të ruajë parkimin. Ne jemi duke u zënë çdo ditë për parkimin me ta dhe marrim në celular Policinë Bashkiake që vjen, konstaton paligjshmërinë dhe ikën pa bërë asgjë. Ky del pastaj e thotë: “Ja, shikojeni që kam miq.” Nuk po dimë si të veprojmë. Duhet të theremi edhe të vritemi që të vihen në lëvizje institucionet shqiptare? Ju lutem, postojeni se ndoshta gjen zgjidhje nga ju. Faleminderit.”
“Nuk ka leje, sepse po të shikoni tabelat, janë tabela të vendosura nga vetë biznesi e jo tabela siç i vendos bashkia, ku tregohet orari edhe ditët. Janë edhe biznese të tjera që kanë marrë leje parkimi nga bashkia dhe kanë vijëzimet dhe tabelën përkatëse. Kjo që ka bërë ky zotëria është “tokë e xanun”.”
Për më tepër, tabela që janë vendosur nuk janë të miratuara nga Bashkia e Tiranës. Sipas banorëve, dallimi mes lejeve zyrtare dhe kësaj shkeljeje është i qartë: bizneset që kanë marrë leje të rregullta, i kanë të vendosura tabelat bashkiake me orare dhe ditë të përcaktuara, ndërsa ky rast është një “tokë e zënë” në mënyrë të pastër abuzive.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet vendore për të zgjidhur këtë situatë, duke kërkuar kthimin e hapësirës publike në funksion të banorëve dhe jo në shërbim të interesave private. Në mungesë të reagimit institucional, ata paralajmërojnë përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Apeli i tyre publik përmes rrjeteve sociale ka për qëllim të nxisë opinionin dhe institucionet që të mos qëndrojnë më në heshtje përballë një padrejtësie që prek të gjithë komunitetin.