Vendimi për Manastirin e Shenjtë të Sinait/ Sinodi thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe historike

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.07.2025, 16:31

Sinodi i Shenjtë ka reaguar pas një vendimi të marrë nga gjykata egjiptiane, që parashikon dëbimin e murgjve dhe sekuestrimin e pronës së Manastirit të Shenjtë të Sinait. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Sinodi u bën thirrje institucioneve përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare që të angazhohen në mbrojtje të statusit historik të këtij manastiri dhe të garantojnë vijimin e pandërprerë të misionit të tij fetar dhe kulturor.

Gjithashtu, Sinodi i Shenjtë nënvizon rëndësinë e veçantë që ka Manastiri i Malit të Shenjtë të Sinait, duke e cilësuar atë si një pasuri të çmuar të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore, jo vetëm për Kishën Orthodhokse, por edhe për mbarë botën. Ky manastir përfaqëson një burim të thellë të përvojës fetare dhe historike, që duhet të mbrohet dhe respektohet.

Deklaratë për Manastirin e Shenjtë të Sinait

Manastiri historik i Malit të Shenjtë të Sinait përbën një thesar të paçmuar të trashëgimisë kulturore dhe spiritualitetit orthodhoks dhe botëror, duke i dhënë Kishës një përvojë të pasur shpirtërore. Aty janë ruajtur për shekuj me radhë dorëshkrime dhe kodikë të çmuar, përfshirë edhe Codex Sinaiticus të famshëm.

Prania e murgjve orthodhoksë në Manastir është respektuar nga të gjitha pushtetet ndër shekuj, duke u bërë një simbol i bashkëekzistencës ndërmjet krishterimit dhe islamit. Shpërndarja e vëllazërisë ose kthimi i Manastirit në muzé në rast të ndryshimit të pronësisë do të ishte shkatërruese me pasoja të pallogaritshme.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë shpreh mbështetjen e saj të plotë për Vëllazërinë e Manastirit dhe Hirësinë e tij, Kryepiskopin e Sinait, z. Damian, në këtë provë të vështirë. Gjithashtu u bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare për t’u përpjekur në mbrojtjen e statusit historik të Manastirit dhe vazhdimin e papenguar të misionit të tij të shenjtë.

I lutemi Perëndisë që të mbizotërojë paqja, drejtësia dhe urtësia.

Nga Sinodi i Shenjtë

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit