Shqipëria dhe paradoksi bujqësor: toka që prodhon shumë, por nuk ushqen popullin e saj

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 07.07.2025, 16:28

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kalojnë mesataren e BE-së, ndërsa bujqësia mbetet sektori më i madh në ekonomi, por me varfëri dhe humbje.

Shqipëria është përfshirë nga një paradoks i thellë ekonomik, ku ushqimet janë më të shtrenjta se në vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që vendi renditet i pari në kontinent për peshën e bujqësisë në ekonomi. Të dhënat më të fundit nga Eurostat zbulojnë se sektori i bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve përbën 17.9% të vlerës së shtuar bruto në vitin 2024 — më shumë se në çdo vend tjetër europian.

Në vend të dytë renditet Kosova me 8.8%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ndërsa Shqipëria dominon bujqësinë europiane për nga pesha në ekonomi, ky fakt nuk ka sjellë asnjë përmirësim për konsumatorin shqiptar, që sot paguan më shumë se mesatarja e BE-së për produktet ushqimore bazë.

Grafik i %-es që zë bujqësia në ekonomi, burimi: Eurostat, Monitor.

Sipas Eurostat, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri janë 1% më të larta se mesatarja europiane, duke arritur në indeksin 100.1% për vitin 2024. Kjo për herë të parë që nga viti 2005 e vendos Shqipërinë përtej nivelit të Bashkimit Europian, ndërkohë që fuqia blerëse e qytetarëve shqiptarë mbetet vetëm 41% e mesatares së BE-së.

Produktet më të shtrenjta në treg janë vezët, djathi dhe qumështi, që tashmë kapin 131% të mesatares së BE-së. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria i ka ushqimet më të kushtueshme. Në Maqedoninë e Veriut, ushqimet shiten për 73.4% të mesatares europiane, ndërsa në Mal të Zi, Bosnje apo Serbi, përqindja është dukshëm më e ulët.

Ky realitet ka rrënjët në një filozofi ekonomike të vonuar dhe të dështuar, ku bujqësia shqiptare funksionon ende me mjete primitive, toka është e copëzuar dhe e paefektshme, ndërsa mjetet e avancuara mungojnë pothuajse plotësisht.

Shumë fermerë sot nuk arrijnë të shesin prodhimet e tyre me çmim fitimprurës. Ata detyrohen të shesin poshtë kostos, duke dalë në humbje të vazhdueshme. Kjo situatë është pasojë e mungesës së zinxhirit të vlerës, përfshirë përpunimin dhe transportin, dhe e mungesës së qendrave grumbulluese e magazinimit.

Për më tepër, emigrimi masiv ka ndikuar drejtpërdrejt në reduktimin e fuqisë punëtore në bujqësi. Të rinjtë braktisin fshatrat dhe nuk shohin më të ardhme në tokën që dikur ushqente familje të tëra. Kështu, toka mbetet pa njerëz, pa investime dhe pa perspektivë zhvillimi.

Të dhënat e INSTAT-it për vitin 2024 konfirmojnë krizën edhe në sektorin e blegtorisë. Në krahasim me një vit më parë, ka pasur rënie në të gjitha kategoritë e kafshëve të gjalla, përfshirë delet, lopët dhe pulat. Kjo ka sjellë dhe një ulje në prodhimin e mishit dhe bulmetit.

Në vend që të garantojë ushqim të bollshëm dhe çmime të përballueshme për popullin, bujqësia shqiptare është kthyer në një simbol i një ekonomie që ecën me hapa mesjetarë. Pa mbështetje reale, pa politika të qëndrueshme dhe me një treg të deformuar, fshati shqiptar është sot më shumë i braktisur se kurrë më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit