Dështon instalimi i një sistemi të ri shërbimesh tek BKT-ja, tregon boshllëqet e thella në sektorin bankar shqiptar

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 07.07.2025, 16:04

Instalimi i ri nga BKT-ja paralizon shërbimet bankare për ditë me radhë dhe shkakton kaos në sportele e degë.

Banka Kombëtare Tregtare po përballet me një situatë të rënduar pas dështimit të instalimit të sistemit të ri qendror, duke shkaktuar ndërprerje të theksuara në shërbimet bankare dhe zemërim të thellë te klientët.

Për dy ditë me radhë, më 4 dhe 7 korrik, sportelet e BKT-së, ATM-të dhe platformat online kanë qenë jashtë funksioni, duke bllokuar transaksione të zakonshme dhe qasje në llogari. Klientët nuk kanë pasur mundësi të marrin as shërbime bazike.

Më 30 qershor, BKT njoftoi një përditësim të planifikuar të sistemit që do të zgjaste nga 4 deri më 6 korrik, duke premtuar një përvojë “më të shpejtë dhe më të sigurt”. Por ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta – një bllokim total.

Në vend të përmirësimeve të paralajmëruara, degët e bankës u kthyen në qendra tensioni, ku klientët prisnin me orë për të marrë ndihmë, pa arritur të kryenin veprime minimale. Njoftimi zyrtar i bankës që kërkonte kryerjen e veprimeve “përpara mesnatës së së premtes”, rezultoi i pavlefshëm.

Edhe pse BKT deklaroi më 7 korrik (e hënë) se sistemi i ri ishte instaluar me sukses, realiteti në terren dëshmoi krejt të kundërtën. Pamjet nga degët e bankës shfaqnin radhë të gjata, personel të paaftë për të menaxhuar situatën dhe klientë të irrituar.

Raportime të shumta treguan se shërbimi ndaj klientit ishte paralizuar. Aksesimi i llogarive nuk funksiononte, arkëtimet dhe pagesat ndaleshin dhe nuk kishte asnjë informacion të qartë për zgjidhje të problemit.

BKT ka ndërtuar imazhin e saj si “banka më e mirë në Shqipëri”, duke u mbështetur te çmime të dyshimta dhe fushata të kushtueshme marketingu. Por kriza e fundit ka nxjerrë në pah realitetin e trishtueshëm të menaxhimit të saj.

Sipas shumë klientëve, sistemi aktual është në rënie të lirë. Degradimi nuk lidhet vetëm me një gabim teknik, por me mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit në shërbim.

Një nga shkaqet kryesore është niveli i ulët i stafit në sportele, për shkak të emigrimit të të rinjve dhe pagave minimale në sektorin bankar. Ky boshllëk profesional ka përkeqësuar ndjeshëm përvojën e klientëve.

Gjithashtu, largimi i bankave europiane ka dobësuar ndjeshëm konkurrencën dhe ka ulur standardet në sektorin financiar shqiptar. Në mungesë të rivalëve seriozë, bankat lokale veprojnë pa ndonjë presion për përmirësim.

Në këtë kontekst, rasti i BKT-së është simptomë e një problemi shumë më të thellë – mungesës së një vizioni strategjik për të ndërtuar një sistem bankar efikas, të sigurt dhe të orientuar drejt klientit.

Nëse një institucion kaq i madh dështon në përballjen me klientët në sportel, atëherë çfarë ndodh me mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë ndaj sulmeve kibernetike? Rasti i BKT-së është një kambanë alarmi për gjithë sektorin bankar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit