Fshati Paftal në Berat në harresë: mungesë totale uji, rruge dhe ndriçimi

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 07.07.2025, 15:49

Banorët e fshatit Paftal në Njësinë Administrative Sinjë po përballen me mungesë uji, rrugësh të shkatërruara dhe mungesë ndriçimi, ndërsa autoritetet heshtin.

Banorët e fshatit Paftal në njësinë Sinjë të Bashkisë Berat i janë drejtuar redaksisë me një apel të fortë për ndihmë. Ata denoncojnë mungesën e plotë të ujit të pijshëm dhe mungesën e vëmendjes institucionale. Sipas tyre, fshati është lënë në mëshirë të fatit nga autoritetet vendore, ndërsa zgjidhja është krejtësisht e realizueshme.

Problemi kryesor, sipas denoncimit, është mosfunksionimi i pusit kryesor, i cili nuk pastrohet prej kohësh dhe mungesa e një pompe që do të transportonte ujin drejt depozitës që furnizon gjithë fshatin. Banorët thonë se për një problem teknik të thjeshtë, janë lënë prej muajsh pa ujë.

Përveç mungesës së ujit, ata raportojnë edhe mungesë totale të ndriçimit publik dhe infrastrukturës rrugore. Rrugët janë në gjendje të degraduar, me gropa të mëdha dhe të pakalueshme, duke vështirësuar edhe më shumë jetesën. Sipas tyre, as makinat nuk arrijnë dot të hyjnë në fshat dhe autoritetet nuk kanë ndërhyrë për të mbushur gropat.

Apeli drejtohet edhe ndaj kryebashkiakut të Beratit, Ervin Demo, i cili, sipas banorëve, nuk është kujtuar asnjëherë për këtë komunitet. Ata shprehen se ndihen të braktisur dhe kërkojnë që rasti të publikohet që institucionet të reagojnë.

"Përshëndetje JOQ, dua të bëj një denoncim."

"Jam një banor i fshatit Paftal, Njësia Administrative Sinjë. Dua të denoncoj Bashkinë Berat sepse e ka lënë fshatin në pikë të hallit. Fshati po vuan për ujë vetëm për shkak të mungesës së pastrimit të pusit dhe mungesës së një pompe për ta transportuar ujin te depoja kryesore. Ju lutem, denoncojeni këtë rast. Bashkia e ka lënë në harresë këtë fshat, po ashtu edhe Ervin Demo që nuk kujtohet fare."

"Më beso, fshati është në pikë të hallit. As ujë, as ndriçim. Nuk shkojmë dot me makina tek shtëpitë sepse rrugët janë copë-copë. As nuk e marrin mundimin të hedhin qoftë dhe pak beton. Shikoni çfarë gjendje është rruga. Të lutem, bëj një publikim që të na shikojnë, sepse s’kemi as ujë, as ndriçim, as rrugë."

"Kemi njerëz të sëmurë dhe po i mbajmë në krah për t’i çuar në spital."

Ata kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të ndërhyhet menjëherë për zgjidhjen e këtyre problemeve bazike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit