Skema e dyshuar e vjedhjes së pasurive publike përmes Bankers Petroleum dhe AlbStar mund të përfshijë qindra individë të lidhur me kontrata fiktive dhe evazion tatimor
Prokuroria e Fierit ka ndërmarrë një aksion të bujshëm që çoi në arrestimin e 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum Albania”, përfshirë edhe CEO-n aktual, Hongping Xiao, si dhe ish-drejtuesin Leonidha Çobo. Të arrestuarit përballen me një sërë akuzash të rënda, mes të cilave skemat mashtruese për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe fshehjen e të ardhurave.
Në hetimet e Prokurorisë vihet në pah një zinxhir i mirëorganizuar kontratash që, sipas të dhënave paraprake, janë përdorur për të shmangur taksat dhe për të larë para në shkallë të gjerë. Përfituesit nuk kanë qenë vetëm drejtuesit e Bankers, por edhe kompani shqiptare me ndikim të lartë në tregun e ndërtimit dhe projekteve publike.
Në qendër të akuzave ndodhet kompania “AlbStar” në pronësi të Idajet dhe Sadik Ismailajt. Kjo kompani, e lidhur me Bankers që nga viti 2004 përmes kontratave të njëpasnjëshme, ka përfituar nga projektet e gjera në zonën e Patoz-Marinzës. Argumenti se “AlbStar” kishte eksperiencë u rrëzua nga Autoriteti Kombëtar i Burimeve Natyrore, që evidentoi se në Shqipëri ka mbi 1,900 kompani ndërtimi të ngjashme.
Përtej kontratave të dyshimta, një tjetër fakt shqetësues lidhet me ndërhyrjen e “AlbStar” në zona të mbrojtura natyrore. Kjo kompani është përgjegjëse për ndërtimin e “Resort Manastirit” në plazhin e mbrojtur të Butrintit, i cili po kthehet në një simbol të betonizimit të parkut natyror nën mbikëqyrjen e qeverisë.

Ministrja Mirela Kumbaro e ka quajtur këtë resort një “pikë të voçkël”, por faktet tregojnë se kjo “pikë” është vetëm pjesa e dukshme e një projekti më të madh betonizues të zonave të mbrojtura, me miratim të lejeve të dhëna nga autoritetet qendrore.
Për këtë arsye, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar ndërhyrjen e SPAK për të hetuar jo vetëm “Bankers”, por edhe të gjithë kompanitë e përfshira, veçanërisht “AlbStar”, duke theksuar rrezikun e përfshirjes së aktorëve të shumtë në këtë rrjet të paligjshëm.
Skemat e ngritura përmes kontratave të mbivlerësuara dhe punimeve fiktive mund të kenë përfshirë qindra individë, që nga zyrtarët lokalë dhe qendrorë deri te biznesmenë të mëdhenj që kanë përfituar në kurriz të pasurive publike shqiptare.
Nëse hetimet avancojnë, pritet të dalin në pah lidhje të shumta ndërmjet kompanive, institucioneve dhe rrjeteve të interesave private, që për vite me radhë kanë përdorur burimet natyrore dhe buxhetin publik si mjet përfitimi personal.
Ky hetim mund të shërbejë si një pikënisje për ndëshkimin e atyre që e kanë trajtuar Shqipërinë si një pronë të tyre private, duke shfrytëzuar pasuritë natyrore dhe zonat e mbrojtura për interesa klienteliste dhe abuzive.