Qytetari shqiptar në Belgjikë ankohet për mungesë reagimi nga Ambasada, e cila nuk i përgjigjet telefonatave dhe as kërkesave me e-mail.
Një qytetar shqiptar që jeton në Belgjikë ka ngritur shqetësimin e tij publikisht për mënyrën se si Ambasada Shqiptare në Bruksel trajton kërkesat e shqiptarëve që kanë nevojë për ndihmë. Ai denoncon mungesën totale të komunikimit institucional, duke thënë se prej ditësh ka tentuar të kontaktojë me ambasadën, por asnjë telefonatë nuk është kthyer dhe asnjë email nuk ka marrë përgjigje.
Ky qytetar, i cili ndodhet në një situatë të vështirë pasi ka humbur pasaportën dhe kërkon të kthehet në Shqipëri, thotë se ndihma që i nevojitet është urgjente. Megjithatë, zyrtarët e Ambasadës, sipas tij, as nuk hapin telefonin dhe as nuk e lejojnë të hyjë në ambientet e përfaqësisë.
“Përshëndetje JOQ Albania. Jam një qytetar shqiptar në Belgjikë. Telefonoj Ambasadën Shqiptare dhe nuk na përgjigjet kurrë, as nuk na kthejnë email.”
“U kam shkruar para 1 jave.”
“Shkon te dera, s’të shtin mrenë, prisni t’ju kthejmë email. Unë kam problem që më ka humbur pasaporta dhe dua të kthehem për në Shqipëri,” denoncon qytetari i pakënaqur.
Ai ka dërguar një email një javë më parë, duke shpjeguar situatën e tij dhe kërkesën për të marrë dokumentacionin e nevojshëm për kthimin në atdhe. Pavarësisht urgjencës, askush nga ambasada nuk i është kthyer për asnjë lloj asistence apo informacioni.
Rasti i tij nuk është i vetmi. Mjaft emigrantë shqiptarë në Belgjikë kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën e funksionimit të Ambasadës Shqiptare, duke theksuar vonesat, mungesën e transparencës dhe indiferencën në raste emergjente. Këto shqetësime janë përsëritur herë pas here.
Për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, përfaqësitë diplomatike janë ura e vetme e komunikimit me shtetin shqiptar. Prandaj, mosfunksionimi i tyre dhe mospërgjigjja ndaj rasteve të tilla përbëjnë jo vetëm një problem administrativ, por edhe një mungesë respekti ndaj qytetarëve.
Kërkohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme që të marrë masa të menjëhershme për përmirësimin e shërbimeve konsullore dhe rritjen e përgjegjshmërisë së punonjësve në ambasada, për të garantuar ndihmë të shpejtë për të gjithë shqiptarët në nevojë.