Qentë endacakë pushtojnë plazhin e Qerretit, pushuesit të frikësuar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.07.2025, 20:51

Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një problem serioz që po rrezikon sigurinë e pushuesve në plazhin e Qerretit në Kavajë: prania e madhe e qenve endacakë në zonat e pushimit, madje edhe brenda ambienteve të një resorti.

Në një video të dërguar nga qytetarja, shihen disa qen duke lëvizur lirshëm në mes të pushuesve, ndërkohë që ajo tregon se një qytetar për pak sa nuk është kafshuar nga njëri prej tyre. Sipas saj, një nga qentë është futur edhe në pishinat e një resorti të njohur në zonë, duke shkaktuar panik mes pushuesve.

Megjithëse situata nuk është e re dhe ky problem është denoncuar herë pas here në shumë qytete bregdetare dhe jo vetëm, ndërsa autoritetet vijojnë të bëjnë sikur nuk shohin asgjë.

Në vend që të ndërtojnë një strehë dinjitoze për këto kafshë të braktisura, shpesh zgjidhja që është zgjedhur është më çnjerëzorja e mundshme: helmimi masiv i qenve, një akt i dhunshëm që nuk zgjidh asgjë dhe vetëm sa shton vuajtjen e tyre.

Qentë endacakë nuk kanë zgjedhur vetë të jenë në rrugë. Ata janë produkt i papërgjegjshmërisë njerëzore, të braktisur nga ish-pronarët e tyre dhe të lënë pa asnjë mbështetje institucionale. Por tani, përveç vuajtjes së tyre, janë kthyer edhe në kërcënim për qytetarët, duke krijuar një situatë ku humbësi është gjithmonë pala më e pambrojtur.

Në këtë verë ku Shqipëria pret mijëra turistë, autoritetet vendore dhe qendrore duhet të marrin masa serioze, jo vetëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve, por edhe për të trajtuar me dinjitet kafshët që rropaten rrugëve. Sepse zgjidhja nuk është as heshtja, as helmi, por kujdesi dhe përgjegjësia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit