Rruga kryesore në hyrje dhe dalje të qytetit të Laçit po përkeqësohet çdo ditë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë përdoruesve të saj.
Në një nga segmentet më të rëndësishme rrugore të qytetit të Laçit, situata është alarmante. Rruga hyrëse dhe dalëse e qytetit është kthyer në një terren të rrezikshëm për qarkullim, pasi mbushja me gropa të mëdha po përparon me ritme të frikshme, duke degraduar edhe pjesën tjetër të asfaltit përreth.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë gjendje të rrugës, duke theksuar se çdo ditë rrezikojnë të pësojnë dëmtime në automjete apo, edhe më keq, të përfshihen në aksidente. Ata janë të detyruar të lëvizin me kujdes ekstrem, duke shmangur gropat që mund të dëmtojnë gomat, amortizatorët apo pjesë të tjera të automjetit.
“Si jeni, kjo është rruga në hyrje ose dalje të qytetit të Laçit, janë gropa që jo vetëm sa vijnë dhe bëhen më të thella, por kanë filluar të bëhet akoma më keq duke u dëmtuar dhe pjesa tjetër e asfaltit. Kjo sjell aksidente nëse nuk do të kemi kujdes, sepse të gjithë i ruhemi këtyre gropave për të mos dëmtuar gomat apo makinën. Do i thoja kryetares së bashkisë: mirë rrugët e lagjeve apo të fshatrave që janë lënë pas dore, të paktën kjo të shtrohet sepse është rrugë kryesore që bëhen hyrje dhe dalje të qytetit. Do ju falënderoja nëse e postoni,” ankohet një qytetar pranë redaksisë së JOQ.
Banorët kritikojnë Bashkinë për neglizhencën që po tregon ndaj kësaj rruge, e cila ka një funksion kyç për qytetin. Sipas tyre, ndërsa disa lagje dhe fshatra mund të jenë lënë në harresë për vite me radhë, rruga kryesore që lidh qytetin me pjesët e tjera të vendit duhet të jetë në listën e prioriteteve.
Apeli për ndihmë nuk është vetëm një kërkesë për riparim të asfaltit, por një thirrje për siguri dhe dinjitet për qytetarët e Laçit. Banorët theksojnë se nëse kjo çështje nuk trajtohet me prioritet, pasojat do të jenë jo vetëm për makinat, por edhe për jetët njerëzore.