Banorët e Darëzezës dhe fshatrave përreth në Fier po përballen me mungesë të theksuar të ujit, sidomos gjatë stinës së verës, për shkak të përdorimit intensiv të furnizimit për pastrimin e paneleve diellore. Shumica e tokave në zonë janë shitur për ndërtimin e impianteve fotovoltaike, çka ka sjellë investime dhe vende të reja pune, por ka lënë pas dore nevojat bazë të komunitetit. Uji në fshatra vjen vetëm për një orë në mbrëmje, ndërsa gjatë gjithë ditës banorët qëndrojnë pa ujë, duke vuajtur pasojat e drejtpërdrejta të mungesës së menaxhimit të duhur.
“Pershendetje JOQ! Doja te ndaja nje shqetesim ne kete sezon veror ne plazhin e Darzezes te fierit, ketu jane shitur pothuajse shumica e tokave dhe jane ber funksionale per ndertimin e paneleve diellore gje qe eshte Ok sepse hapen vende pune per banoret e zones. Por ajo qe neve na shqeteson eshte fakti se te gjitha kompanite qe kane invesuar ne kete zone na kane lene pa uje, jo veç darzezen por edhe fshaterat afer nesh qe furnizohemi me te njejten linje pasi i gjithe furnizimi i ujit shkone per pastrimin e xhamave te paneleve ndersa ne fshateret e zones duhet te rrime pa uje gjate gjithe dites pasi veç 1 ore ne darke vjen uji per fshatin dhe ky problem nuk eshte vetem tani ne ver por edhe gjate stines se dimrit! Problemi eshte shfaqur edhe tek kryeplaku i zones por nuk eshte se ndermer ndonje mase pasi eshte servil i partise dhe gjeja e vetme qe ai eshte aktiv me ate poste eshte vetem kur ben mbledhje partia. Do ju lutesha ta publikonit pasi vetem ju jeni zeri i popullit. Faleminderit”, shkruan qytetari.
Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, kryeplaku i zonës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për zgjidhjen e problemit, pasi, sipas banorëve, është më i angazhuar me aktivitetet e partisë sesa me shqetësimet e komunitetit. Kjo situatë nuk është e re, pasi mungesa e ujit ka qenë problem edhe gjatë dimrit, duke vënë në rrezik jetesën dhe bujqësinë në zonë. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të rikthyer furnizimin normal me ujë dhe për të mbrojtur të drejtën e tyre.