Arrestimet e fundit në Bankers Petroleum ngjallin entuziazëm publik, por historia ka treguar se pas euforisë vjen fatura që paguajnë qytetarët shqiptarë
Shqipëria është sërish në qendër të vëmendjes pas arrestimeve të bujshme në kompaninë Bankers Petroleum, por entuziazmi publik për masat e marra nga prokuroria rrezikon të zbehet shumë shpejt. Historia ka treguar se pas çdo aksioni spektakolar ndaj bizneseve të mëdha, përplasjet zhvendosen në arbitrazhe ndërkombëtare dhe rezultati është zakonisht një faturë e rëndë për taksapaguesit shqiptarë.
Nuk ka kaluar shumë kohë që nga rasti Agon Channel, kur qeveria ndërhyri me forca policore dhe hetime ndaj pronarit të kanalit, Becchetti. Euforia e momentit u shua kur Shqipëria humbi në arbitrazh dhe u detyrua të paguante 130 milionë euro. Dhe nëse Agon ishte një biznes i vogël mediatik, Bankers-i është një gjigant me miliarda euro xhiro. Rreziku ekonomik që mbart kjo përballje është i jashtëzakonshëm.
Shembujt e mëparshëm, si rasti CEZ-it ku u ndërhy nga Flamur Noka dhe më pas u pajtua Edi Rama duke u ngarkuar qytetarëve një gjobë prej mbi 90 milionë euro, janë sinjale të qarta që paralajmërojnë se drejtësia e bujshme mediatike nuk mbyllet gjithmonë me fitore në gjykatë. Përkundrazi, pasojat shpesh bien mbi popullin që mbetet peng i vendimeve të nxituara politike dhe hetimeve të papërgatitura.
Bankers-i ka një histori të gjatë përplasjeje me shtetin shqiptar. Madje, në një nga përballjet më të forta, u hapën të gjithë serverat e kompanisë, dolën publikisht mesazhet, transaksionet dhe dokumentet, duke krijuar një precedent unik në transparencën ndaj një kompanie të huaj. Megjithatë, në atë betejë ligjore, njëherë fitoi shteti, njëherë Bankers-i. Sot ngrihet sërish pyetja: me çfarë provash të reja po shkon prokuroria në sulm?
Nëse këto prova bien në gjykatë, kush do ta paguajë faturën e humbjes? Çfarë ndodh nëse përsëritet skenari i dështimit në arbitrazh? Dhe nëse dosja nuk është ndërtuar me profesionalizëm, rreziku që ndëshkimi të mos bjerë mbi kompaninë, por mbi buxhetin e shtetit, është më shumë se real.
Prokuroria e Fierit ka pretenduar se Bankers-i ka dalë me humbje gjatë gjithë periudhës 2004-2024, duke mos sjellë asnjë të ardhur për shtetin shqiptar. Por kjo deklaratë bie ndesh me realitetin financiar. Kompania ka realizuar fitim, por ende nuk ka mbuluar të gjitha shpenzimet investuese. Gjithashtu, nga shitja e naftës, 10 për qind e të ardhurave kanë shkuar për shtetin përmes rentës minerare.
Në vitin 2014, AKBN refuzoi të njohë 247 milionë euro shpenzime të Bankers-it, por pasi çështja kaloi në arbitrazh, kompania fitoi. Në 2019-ën, Dogana e Fierit vendosi një gjobë prej 120 milionë eurosh për evazion fiskal, e cila u anulua në heshtje. Askush nuk mori përgjegjësi dhe as nuk shpjegoi se si ndodhi ky anulim.
I vetmi arbitrazh i fituar nga shteti ndaj Bankers-it ndodhi së fundmi për shpenzimet e viteve 2012-2018, ku Shqipëria fitoi falë një “autogoli” të Bankers-it: një letër publike ku kompania pranoi abuzimet e ish-drejtorit Leonidha Çobo. Në mungesë të një dëshmie të tillë të brendshme, është e paqartë se mbi çfarë provash mbështetet tani prokuroria.
Dosja aktuale është ndërtuar nga një drejtori hetimi tatimor që nuk njihet për ekspertizë në çështje komplekse fiskale dhe ndërkombëtare. Arrestimi i drejtorit të një kompanie të madhe ndërkombëtare, pa një dosje të sigurt, është një hap që mund të ketë pasoja të rënda.
Nëse historia përsëritet, atëherë qytetarët shqiptarë do të jenë ata që do të paguajnë çmimin. Dhe për fat të keq, ndërkohë që euforia zbehet, askush nuk garanton që pas saj nuk fshihen interesa të tjera, marrëveshje të fshehta apo pazare për të ndryshuar pronësinë e kompanisë.